Çiljeta: Anulova skenat erotike, që të mos e bëja xheloz të dashurin

Dec 10, 2011 | 14:38

Ka qëndruar rreth 40 ditë në Itali, në xhirimet e filmit “Floorless” dhe kaq ka mjaftuar që  në mendjen e saj të ridimensionojë pasionet, sepse kinematografia është nga ato dashuri që kur të kap, nuk të lëshon më. Çiljeta Xhilaga, këngëtarja e njohur, tashmë ka një plan të ri, të merret seriozish me filmin. Fundja në Itali ajo ka marrë shumë komplimente nga disa personazhe ekspertë, të cilët nuk e kanë idenë se çfarë ka bërë deri tani Çili, çfarë popullariteti ka ajo në vendin a saj. Kështu që kanë pasur mundësi të japin një gjykim të ftohtë mbi të, bazuar thjesht nga aftësitë aktoriale që ajo tregoi në atë film si një nga personazhet kryesore. Pra, Çili edhe kësaj here bëri një punë për së mbari, ashtu siç ajo preferon të jetë në çdo gjë që prek. Po çfarë mendon ajo konkretisht për të nesërmen e saj si një aktore, mbase edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Lexoni çfarë na rrëfeu.
–  Aktore në një kast italo-shqiptar, pse mendon se të zgjodhën ty?
–   Unë kam luajtur edhe në dy filma të tjerë, paçka se atëherë kam qenë më e vogël, tek “Ishte kohë për dashuri” dhe “Trapi i vjetër”.  Mendoj se ky ka qenë një moment starti për të më preferuar mua si një person që njoh kamerën dhe filmin. Pastaj roli ishte i përshtashëm për mua.
–  Dimë që bëhet fjalë për një film triller. Është në preferencat e tua një gjini e tillë?
–  Në fakt, unë pëlqej shumë filmat aksion, por kjo ishte një eksperiencë e veçantë, sepse roli kishte shumë dramë brenda dhe, nëse ke aftësi aktoriale, aty ishte moment për ta treguar.
– Dhe ti kishe?
– Kam marrë shumë komplimente mbi lojën time aty, kishte momente shumë dramatike kur unë duhej të qaja dhe kam qarë vetë pa simulim, sepse e ndieja atë që po bëja, isha tamam në lëkurën e personazhit.
– Çfarë momenti ishte ky?
– Personazhet janë të mbyllura në një ashensor dhe aty brenda është dhe një i çmendur, ndërkohë që unë jam shtatzënë, në muajin e tetë. Në një moment ky person me probleme mendore shtyn karrocën e supermarketit dhe  mua më fillon hemorragjia. Pra është ekzaktësisht përjetimi i një gruaje që pret të lindë një fëmijë, por e humbet në disa rrethana të tmerrshme.
– Dimë që filmi ishte në italisht, ti pate problem me gjuhën?
– Unë e kam studiuar italishten pesë vite në shkollë dhe mendoj se gjuha nuk ishte pengesë. Kam punuar mjaft me skenarin, por gjithsesi kisha merak sepse përsëri ajo gjuhë e huaj është. Mund të kuptohesh pak nga theksi mbase. Por mendoj që ai dola mirë.
– Në film ke luajtur edhe me Bjordi Mezinin. Si i kishit raportet me të gjatë filmit?
– Shumë të mira. Bjordi është djalë i dashur, i çiltër, i gatshëm për të të ndihmuar. Kam kaluar shumë mirë me të realisht.
– Dimë që në film luajnë edhe dy personazhe të “Le iene”, çfarë të thana ata?
– Po, ata janë dy personazhe shumë të njohura në televizionin italian. Krijuam raporte shumë të mira profesionale dhe miqësore. Edhe për ta ky film ishte disi i veçantë, stil amerikan, sepse italianët bëjnë kryesisht filma policeskë ose me temë qendrore mafien. U argëtuam shumë me ta.
– Si i kalonit darkat mbas xhirimeve?
– Kishim ditë intensive me xhirimet dhe vështirësia qëndronte në faktin se duhej të qëndronim brenda në ashensor për orë të tëra. Në darkë qëndronim të gjithë tek vila e Jetmirit, regjisorit dhe personazhit kryesor të filmit. Kemi kaluar me të vërtetë bukur.
– A kishte skena erotike filmi?
– Në fakt, në skenar ishte parashikuar një skenë erotike me babain e fëmijës sim, por unë insistova që të mos e luaj, kështu që me dëshirën time u hoq ajo skenë.
– Është kompleks yti apo kishe hallin e Aleksandrit?
– Në fakt edhe Aleksandri, pavarësisht se ka vite që jeton në Perëndim, gjithsesi ka një mentalitet shqiptar. Dhe kur i thashë që do bëj një film, pyetja e parë që më bëri ishte: “A do ketë skena erotike?”. Aty e kuptova se ai nuk e ka qejf këtë pjesë, kështu që vendosa që më mirë të mos e bëj.
–  Tani që provove të luash në një film kaq impenjativ, çfarë mendon për kinematografinë? Do të jetë në planet e tua të ardhshme?
– Po, tani me të vërtetë po mendoj seriozisht për kinemanë, paçka se këtu bëhen shumë pak filma. Një nga planet e mia është të marr pjesë në disa casting në Amerikë, ku kërkojnë personazhe të reja. Është një nga ëndrrat e mia dhe shpresoj të më realizohet.

© Panorama.al

Te lidhura