Agjentët amerikanë e kanë monitoruar Osama bin Ladenin gjatë muajve të fundit nga një shtëpi e sigurt pranë kompleksit të tij.Lajmi u zbulua dje nga agjencitë mediatike amerikane, bazuar në burimet e tyre në shërbimet sekrete. Zbulimi ka ndezur akoma më shumë kritikat për ndërhyrjen e amerikanëve në çështjet e brendshme të Pakistanit, një debat i cili ishte i fortë që pas përfundimit të blicit të së dielës dhe ka forcuar thirrjet në vend për dorëheqjen e Presidentit Asif Ali Zardari, kryeministrit Gilani dhe kreut të shërbimeve sekrete, pasi nuk kanë qenë në gjendje të mbrojnë autoritet e vendit. Agjentët e CIA-s, të vendosur në një shtëpi me qira, kanë kryer një mbikëqyrje të detajuar mbi kompleksin e Bin Ladenit duke përdorur një arsenal të teknologjisë së lartë të aparateve vëzhguese, përfshirë edhe lente telefotoje, pajisje përgjimi dhe radarë, për të zbuluar tunele të mundshëm arratisjeje. Ky konsiderohej operacioni më delikat i CIA-s gjatë dekadës së fundit, saqë Agjencia e Spiunimit i ka dedikuar dhjetëra miliona dollarë financime që nga vjeshta e kaluar. Spiunët amerikanë kishin arritur të evitonin identifikimin nga agjentët sekretë pakistanezë. Lajmi ka zbardhur edhe misterin mbi vrasjet e dy pakistanezëve nga spiuni amerikan Reimond Davis, në Lahore gjatë janarit. Majkëll Sheuer, ish-kreu i grupit të CIA-s për Bin Ladenin, tha se, që nga viti 2001, CIA ka rekrutuar amerikano-pakistanezë apo amerikanë me tipare të ngjashme me racën pakistaneze, për t’i bërë ata “të padukshëm”. Megjithatë, sipas sondazheve, vetëm 35 për qind e pakistanezëve besojnë se ajo mund të ketë qenë vërtet shtëpia e Bin Ladenit.
Në fakt, raportimet e dyshimta se Osama bin Laden ishte figura misterioze e parë në kopshtin e shtëpisë së tij në Abutabad, edhe kur nisi aksioni, besoheshin rreth 60 apo 80 për qind nga CIA dhe autoritetet amerikane. Kur skuadra elitë “Navy SEAL” qëlloi njeriun e gjatë që mendonin se ishte Osama, duke e goditur atë në mënyrë fatale në kraharor dhe mes syve, hapi tjetër ishte një identifikim i saktë. Ata kishin planifikuar të merrnin disa pika referimi, përfshirë identifikimin e fytyrës dhe analizat e ADN-së kur e morën trupin e tij në bazën ajrore “Bagram” në Afganistan. Një tjetër masë ishte llogaritja e përmasave trupore. Bin Laden listohej në dhjetë terroristët më të kërkuar të FBI-së, i përshkruar nga 1,92 m deri në 1,97 m i gjatë. Megjithatë, skuadra me të gjitha mjetet speciale e super-armatosur, nuk kishte marrë një metër me vete. Sipas raportimeve nga CBS, një oficer i “Navy SEAL”, i cili ishte i gjatë rreth 1,82 m i gjatë, është shtrirë afër kufomës së Bin Ladenit për të “matur” gjatësinë e tij. Kufoma ishte pak centimetra më e gjatë. Kur Obama mësoi për teknikën e improvizuar të matjes, ka thënë: “Ne iu siguruam një helikopter 60 milionë dollarësh për këtë operacion. A nuk e përballonim dot edhe blerjen e një metri?”, raportohet nga agjencia, e cila siguroi intervistën e parë të Presidentit amerikan pas vrasjes së Bin Ladenit, në emisionin “60 minuta”. Raportohet se Osama ishte emërtuar “shëtitësi” në procedurat e shërbimeve sekrete, sepse ishte parë të lëvizte në kompleksin e tij, por fytyra dhe gjatësia ekzakte ishin të paidentifikueshme. Në telefonatën e bërë korrierit besnik të Bin Ladenit, e cila ishte edhe ajo që e identifikoi vendndodhjen e kompleksit të tij, janë thënë vetëm pak fjalë: “Jam kthyer me njerëzit që isha këtu më parë”.
Në kompleks me pula e lopë, fëmijët me “shkollë” në shtëpi
Pas mureve të shtëpisë së tij, Bin Laden ishte një baba dhe bashkëshort, ndërkohë që njëkohësisht mbante “titullin” si lideri i rrjetit global të terrorizmit. Osama bin Laden u konfirmua se ka qëndruar të paktën pesë vjet në shtëpinë e tij në Abutabad, me tre nga gratë e tij dhe disa fëmijë. Raportimet tregojnë se Bin Laden kishte 5 gra dhe më shumë se 20 fëmijë. Tre prej grave të tij si dhe nëntë prej fëmijëve, më i vogli ende foshnje, jetonin në kompleksin ku ai u vra, sipas Shërbimeve Sekrete Pakistaneze. Një zyrtar i lartë i Shërbimeve Sekrete Pakistaneze ka thënë për “Thë Guardian” se dy gra të tjera të tij ishin gjetur të fshehura në kompleks, pasi ishin larguar amerikanët. Familja e Bin Ladenit jetonte me dy vëllezër pakistanez, Arshad dhe Tariq Khan dhe familjet e tyre, në kushte të vështira. Fotot tregojnë mobilie modeste, të lira dhe të vjetruara gatimi, dyshekë të lirë, nuk kishte ajër të kondicionuar (vetëm një ngrohje qendrore) dhe televizorë të vjetër. Kishte një kopsht të madh me perime, ku një fqinj, 80-vjeçari Shamraiz Qasim, një apo dy herë në vit mbillte perime. Në shtëpi kishte të paktën një lopë, disa lepuj dhe rreth 100 pula e zogj. Fëmijët nuk shkonin kurrë në shkollë. Ata mësonin në shtëpi në gjuhën arabe, në një nga dhomat e katit të parë, e cila kishte një dërrasë të zezë, tekste dhe shkumësa, shërbente si klasë. Ushqimet në shtëpinë e tij ishin vezët, lajthitë, vaji i ullirit dhe mishi i thatë. Bin Laden ishte martuar të paktën pesë herë. Omar, djali i katërt i Bin Ladenit dhe gruas së tij të parë, ka publikuar një libër ku përshkruante një baba strikt, i cili nuk i lejonte lodrat dhe e çonte familjen e tij në shkretëtirë dhe i linte pa ujë, që ata të mësoheshin me kushte të vështira. Sipas ish-truprojës së tij, Abu Jandal, i arrestuar në Afganistan në 2001-shin, Bin Laden dhe tri gratë e tij ishin të lumtur së bashku në një shtëpi. Pas sulmeve të 11 shtatorit, Bin Ladeni raportohet ta ketë dërguar një pjesë të familjes jashtë Afganistanit. Rreth 20 anëtarë të familjes së tij u ndaluan nga autoritetet në Iran dhe që atëherë mbahen në arrest shtëpie.
Publikohen videot e kompleksit
Pentagoni ka publikuar mbrëmë pesë videot e Osama Bin Ladenit të regjistruara në kompleksin e tij, në Abutabad. Në video tregohet kreu i Al Kaedës, duke parë raportimet për të nëpër lajme, përgatitjet e mesazheve të reja kundër Shteteve të Bashkuara dhe thirrjet e reja për xhihad nga ndjekësit e tij. Video e blicit amerikan nuk është publikuar.
Obama nderon “Navy Seal team”
Presidenti Obama udhëtoi dje në Kentaki, ku u takua me skuadrën speciale që ekzekutoi Bin Ladenin, Navy Seal Team, dhe i dekoroi personalisht të gjithë anëtarët e skuadrës me “Presidential Unit Citation”, një ndër dekoratat më të larta të Shtëpisë së Bardhë për vepra heroike. “Ju falënderoj në emër të të gjithë Amerikës. Bëtë një punë të shkëlqyer!”, tha Obama. I vetmi anëtar i blicit që nuk u dekorua, ishte qeni.
© Panorama.al











