Çfarë parashikon programi i PD për kriptomonedhat? Berisha: Kjo monedhë sot është në duart e klaneve qeveritare! Do ngrihen autoritete për mbikëqyrjen e tyre

Mar 1, 2025 | 16:16

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bisedë virtuale me shqiptarët e diasporës, ku dhe u është përgjigjur pyetjeve të tyre.

sali berisha

I pyetur nga një prej emigrantëve, se çfarë parashikon programi i PD-së për kriptomonedhat, Berisha tha se këto para digjitale do të jenë në përdorim në mënyrë të ligjshme.

Kryedemokrati u shpreh se bitcoin sot në Shqipëri “është në duart e klaneve qeveritare dhe klaneve mafioze, të cilat nga strofullat e tyre i kërkojnë Edi Ramës që tua japë atyre monopolet me bitcoin”.

Më tej, Berisha sqaroi se këto monedha digjitale do të jenë në qarkullim, por do të kontrollohen nga autoritete përkatëse për transparencë si dhe për të mos pasur abuzime me to.

“Programi ynë parashikon Bitcoinin, Blockchain dhe natyrisht formalizim dhe legalizim sipas rregullave më transparente. Sot kjo monedhë në Shqipëri është në duart e klaneve qeveritare dhe klaneve mafioze.

Klane mafioze që nga strofullat e tyre i kërkojnë Ramës t’ua japë atyre monopolin e Bitcoin. Kjo nuk do ndodhë kurrë.

Bitcoin do jetë një monedhë e përdorur lirisht, natyrisht në transparencë dhe rregullat e përcaktuara nga autoritetet e mbikëqyrjes financiare të kriptomonedhave, autoritet që do ngrihet për këtë qëllim”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura