Certifikatat, AK: Omonia bën shantazh politik

May 26, 2011 | 10:10

Aleanca Kuq e  Zi e ka quajtur shantazh poltik, reagimin e Omonias për mospranimin e certifikateve të reja në te cilat suprimohet kombësia.

Në deklaratën e Aleancës Kuq e Zi thuet se certifikatat ne formatin e ri janë të njëtat si në Evropë.

Shteti nuk duhet të lejojë që t’i cënohet sovraniteti, thotë AK.

Në formatin e ri të certifikateve, nuk shënohet më si element kombësia por vetëm shtetësia.

Shkelje të të drejtave të njeriut e ka quajtur “Omonia” formatin e ri të certifikatave, lëshuar prej disa ditësh në vend, në të cilat sipas saj suprimohet kombësia. Në një deklaratë për mediat, gjate dites se enjte, organizata e minoritetit etnik grek në jug të vendit, e ka dënuar ndryshimin e formatit të dokumentit bazik të shtetasve shqiptarë, nga ana e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë.

Suprimimi i kombësisë nga certifikatat, konsiderohet nga krerët e OMONIA-s, si shkelje brutale e të drejtave të njeriut ndërkohë që kërkohet korrigjimi i menjëhershëm i kësaj, që ata e cilësojnë ‘gafë’. Sipas OMONIA-s, ky akt është vecse genocid statistikor. “Janë të shumta pikat e dobëta dhe tendencioziteti në çështjen që lidhet me procedurën dhe formatin e ri të lëshimit të certifikatave nga gjendja civile”-thuhet në këtë deklaratë, ku kërkohet me këmbëngulje që shteti shqiptar ta korrigjojë në mënyrë të menjëhershme.

Sipas drejtuesve të kësaj organizate, akti në fjalë pa asnjë lloj paralajmërimi me autor qeverinë shqiptare për të ndryshuar formatin dhe përmbajtjen e certifikatës së lindjes dhe që të mos referohet më elementi i kombësisë, përveçse krijon probleme të shumta të karakterit teknik dhe burokratik, konfirmon me fakte se kush janë mentalitetet që zotërojnë në aparatin shtetëror edhe përsa i përket çështjes së regjistrimit të popullsisë.

OMONIA, ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe premtoi ndërmarjen e të gjitha hapave ligjore me qëllim që akti në fjalë, të denoncohet, si dhe të rregullohet procedura e lëshimit të certifikatave të lindjes.

“Nuk është e mundur që ndërsa presim avancimin e një sërë çështjesh dhe problematikash të tjera që lidhen me të drejtat e Minoritetit Etnik Grek në trojet e tij amtare, të kemi prapakthime të tjera të rrezikshme”-përfundon deklarata.

© Panorama.al

Te lidhura