ADRIATIK KELMENDI
KU JEMI ME DIALOGUN-Prishtinë-Beograd? Po bëhen dy muaj që nga takimi i parë në Bruksel i zv.kryeministres Edita Tahiri dhe përfaqësuesit serb Borko Stefanoviç, por Kosova lëre që nuk ka fituar asgjë, por – ashtu edhe siç kishin tërhequr vërejtjen disa prej nesh – ka hyrë në deficit.
Deri më tash janë mbajtur tri raunde bisedimesh dhe në të gjitha është thënë të ketë mbretëruar fryma konstruktive dhe mirëkuptimi. Por, teksa këto i kemi dëgjuar si nga përfaqësuesja e Prishtinës, ashtu dhe nga ai i Beogradit dhe fasilituesit në Bruksel, nuk kemi parë asnjë rezultat për të qenë nga temat që janë biseduar. Sidomos, asnjë sa i përket avancimit të pozitës së Kosovës. Tema të bisedimeve deri tash…kanë qenë CEFTA, vulat e doganave, energjia elektrike, telekomunikacioni, regjistri civil dhe librat kadastralë. Dhe të shohim: për asnjë nga këto tema, për dy muaj resht, nuk është arritur ndonjë pajtueshmëri e kënaqshme.
Për më tepër, për një temë – librat kadastralë – u tha se u arrit një pëlqim i të dyja palëve, por sërish u fillua me gatishmërinë e Kosovës për të bërë kompromis. Mirëpo, duke qenë se ky kompromis u tha të jetë pajtimi i palës kosovare për të pranuar kopjet e librave kadastralë dhe që Serbia t’i mbajë origjinalet, ky njëkohësisht paraqet edhe një ndër mesazhet më të rënda që kanë mundur t’i përçojnë këto bisedime të pakrye. Me pranimin që të merren kopjet e librave kadastralë, si marrëveshje e parë, që në start Prishtina krijon hapësirë që të interpretohet se Kosova është vetëm një kopje e shtetit, dhe si e tillë i takojnë kopjet, kurse Serbia është origjinali, shteti i vërtetë, dhe për këtë arsye edhe dokumentet që dëshmojnë pronësinë i ka – origjinal.
S’ka se si të niste më mbrapshtë.
SIDOQOFTË, HUMBJET MË TË mëdha për Kosovën nën petkun e dialogut teknik “që do të ndikojë në zbutjen e armiqësive historike shqiptaro-serbe” – siç kemi dëgjuar shpesh edhe nga tanët – nuk po ndodhin vetëm në zyrën e Robert Cooper-it në Bruksel, por në terren në Kosovë. Serbia (edhe një herë), ashtu siç ishte tërhequr vërejtja, po e shfrytëzon mençur dialogun për të arritur rezultate si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe brenda Kosovës.
Beogradi, tashmë, po ia del që ta shesë veten në Perëndim si palë që është e gatshme për të biseduar për gjithçka me Prishtinën dhe të arrijë kompromise “për të ecur së bashku përpara” e drejt destinacionit final, Bashkimit Europian, mirëpo pa bërë asgjë më shumë se sa vetëm uljen fizike në një tryezë me përfaqësuesit e Kosovës. Ndërkohë, si kryetari Boris Tadiç, ashtu edhe Stefanoviç, vazhdojnë të lëshojnë balona provues që implikojnë ato që i proklamojnë si ide origjinale për statusin e Kosovës, me një qëllim të përhershëm – krijimin e përshtypjes se çështja e statusit nuk ka përfunduar, është ende në tavolinë dhe mbetet për t’u zgjidhur. Kjo qasje mund të vlerësohet se edhe ka arritur sukseset e veta, duke parë se nuk ka asnjë shtet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës që nga fillimi i këtyre bisedimeve.
Në anën tjetër, Beogradi, sërish nën petkun e bisedimeve, po synon që me shpejtësi të krijojë realitete të reja në terren, sidomos në veri të vendit, për të cilat pastaj do të tentohej të gjendej një zgjidhje nëpërmjet “kompromiseve” gjatë dialogut. Në këtë frymë kemi parë edhe uzurpimin e strukturave ilegale serbe të ndërtesave të gjykatave në Mitrovicë, shpërndarjen e targave të reja serbe për automjete e veprime të tjera si këto. Të gjitha këto bëhen duke pasur në mendje taktikën e njohur dhe të shumëpërdorur deri më tash nga serbët: që kur të ketë një problem të madh që kërkon zgjidhje, ju duhet të krijoni një problem tjetër edhe më të madh se i pari, në mënyrë që kur të bisedohet për zgjidhjen e tij, kompromisi të jetë në nivelin e kthimit në situatën e problemit fillestar.
Dhe, çështja e fundit që ndërlidhet me procesin e dialogut të mbrapshtë, por jo e fundit për nga rëndësia, është sjellja totalisht e papërgjegjshme e EULEX-it. Përfaqësuesit e këtij misioni të Bashkimit Europian, duket se mezi kanë pritur që të fillojë ky dialog, jo për shkak se kanë besuar se do të arrijë ndonjë rezultat, por se do t’u ndihmojë atyre që të heqin përgjegjësinë e dështimit të tyre të deritashëm në Veri. Në javën kur bëhen dy vjet e gjysmë nga ajo që u quajt shtrirje në gjithë territorin e Kosovës, EULEX-i përfundimisht lau duart e veta nga Veriu dhe tha se kjo çështje mbetet të zgjidhet me anë të dialogut Prishtinë – Beograd. Kjo ishte një shuplakë e fortë fytyrës për Qeverinë e Kosovës, prej ku tash e dy vjet e gjysmë pa ndërprerë kemi dëgjuar refrenin se çështjen e Veriut do ta zgjidhë EULEX-i. Tash i bie se duhet kërkuar leje, ose arritur pëlqim i Beogradit, që autoriteti i Prishtinës, të shtrihet në gjithë territorin e Republikës, që në 17 shkurtin e 2008-s u shpall shtet i pavarur, sovran e demokratik, në kufijtë ekzistues!
TË GJITHË PËRKRAHËSIT e dialogut kanë përmendur vjeshtën si një kohë optimale për të arritur rezultate për shumicën e pikave të parapara të diskutohen në dialog. Kjo i bie edhe katër-pesë muaj të tjerë. Mirëpo, nëse e krahasojmë me lojën e basketbollit, ndoshta do të duhej konsideruar edhe performanca e të gjithë lojtarëve në çerekun e parë, për të vendosur për taktikën që do të duhej përdorur në çerekët e mbetur, me synim fitimin e ndeshjes. Në të parin çerek mund të thuhet se me një lojë të ashpër dhe me faulle të pareferuara nga referët, Serbia ka arritur të sigurojë rezultat 8 me 2 ndaj Kosovës. Si duhet vazhduar tutje? A duhet ndërruar vetëm organizimin e lojës së ekipit, apo duhet ndërruar lojtarët, apo duhet ankuar për lojë jo fer nga ekipi kundërshtar, apo duket tërhequr vërejtjen për referim të njëanshëm e mbyllje sysh nga banka e delegatëve vëzhgues, apo edhe duhet lëshuar fare fushën e lojës? Sigurisht, se duhet të mos përjashtohet përdorimi i gjithë këtyre mundësive, në mënyrë që të bindemi se strategjia e aprovuar do të bëjë që të sigurohet fitorja e ekipit kosovar në fund.
Nëse vazhdohet kështu si është filluar, keq e pa krye, gjasat janë edhe teorikisht minimale për ndonjë rezultat të favorshëm. E, dikur do të jetë tepër vonë.











