TIRANË- Censusi dhe të dhënat e dala prej tij ishin në qendër të fjalës së kryeministrit, Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë.
Sipas Berishës, të dhënat e tij faktuan zhvillimin e vendit, që në vitet ’90 ishte i dyti më i varfër pas Angolës, ndersa sot ka shënuar një bum ndërtimesh, më të madhin ndonjëherë, jo vetëm në historinë e vet, por edhe në vendet e BE dhe OECD-së.
“Nga viti 2001 në 2011 janë shtuar, janë ndërtuar plus 125 banesa për 1 mijë banorë. Pra shqiptarët bënë një kapërcim të fuqishëm në këto vite dhe kryesisht nga 2005 deri sot në fushën e shtëpive të banimit. Flitet për 1 milionë të varfër në këtë vend, me një aritmetikë fiks të 21 viteve më parë. E vërteta është se sot janë pronarë shtëpish shumë familje shqiptare. Kjo arritje fatlume, nuk kanë qenë këto banesa luksi, vetëm një përqindje e vogël i përket borgjezisë së re, këto janë të burrave e grave që kanë punuar nga 18 orë në ditë, kanë sakrifikuar, kanë shpenzuar të gjitha kursimet dhe i kanë shndërruar në shtëpi të bukura”- tha Berisha.
Sipas tij, iniciativa e lirë e qytetarëve bëri që ky tregues të ketë rendimentin më të lartë. “Shqiptarët kanë ndërtuar në këto 10 vite më shumë se c’kanë ndërtuar në 30 vite banesa për frymë, 25 kombe anëtarë të BE dhe OECD-së, kanë ndërtuar më shumë se të gjitha kombet anëtare të OECD në 20 vitet e fundit dhe kjo është një arritje historike për këtë vend”- tha Berisha.
© Panorama.al











