Berisha: Komb urban, ndërtimi i banesave në 10 vjet, më i madhi i kohërave

Dec 21, 2011 | 11:44

TIRANË- Proces të sukseshëm dhe përfundime pozitive që dëshmojnë urbanizimin e kombit. Kështu e ka cilësuar kreu i qeverisë, Sali Berisha procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, duke analizuar të dhënat paraprake të censusit,

Duke numëruar dhjetë bashkitë më të mëdha në vend, Berisha është shprehur entuziast që mes tyre renditen Kamza dhe Paskuqani, madje që e para lë pas edhe bashki të tjera të mëdha, si Fieri, Korca e Berati.

“Qendrat përreth Tiranës grupohen në vendbanime me mbi 10 mijë banorë dhe qëndrojnë lart. Kombi me këtë census faktohet komb urban, nga ana tjetër, ka bërë ndërtimet në asnjë vend nuk i ka bërë, në qytetet tona janë ndërtuar shtëpi e vila”- tha Berisha.

Sipas tij, popullsia ka tendencë në renie, por kjo nuk është alarmante. “Ka tendencë në rënie, por qeveria është e gatshme të marrë të gjitha masat për të mbështetur politika demografike në interes kombëtar, që janë faktuar si eficente, nuk është rasti ende, nuk kemi pse t’i vëmë aktualisht në rendin e ditës”- tha ai.

Sipas tij, në 10 vjet, shqiptarët kanë ndërtuar banesa, 40% më shumë se në të gjitha kohërat.

© Panorama.al

Te lidhura