Qytetarët nga sot mund të zgjedhin vetë operatorin celular, të cilin e shohin si më të leverdishëm apo që plotëson kërkesat e tyre, pa pasur nevojë që të ndryshojnë numër.Tashmë këtë shërbim do ta ofrojnë të katërta kompanitë që operojnë në tregun e telefonisë së lëvizshme. Rregullorja e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për portabilitetin e numrit, e konsultuar për rreth një muaj me aktorët që përfshihen në proces, ka hyrë në fuqi, duke sanksionuar edhe rregullat për kompanitë dhe qytetarët. Dje është inauguruar Baza Qendrore e të Dhënave e Centralizuar për Portabilitetin e Numrit, ku i pranishëm në ceremoninë e organizuar nga AKEP ishte edhe kreu i qeverisë, Sali Berisha. Kryeministri vlerësoi këtë hap të telefonisë celulare në vend si shumë të rëndësishëm dhe që do t’i shërbejë qytetarit në veçanti, por edhe zhvillimit të vendit në përgjithësi. “Është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për telekomunikacionin në veçanti, por edhe për tërë zhvillimin e vendit arritja e vendosjes së portabilitetit. Ky moment shënon shkëputjen përfundimtare të pronësisë së numrit nga operatori dhe kalimin e tij në pronësi të individit”, tha Berisha. Në vetvete projekti për portabilitetin e numrit ka kohë që flitet dhe është konsideruar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare por edhe nga vetë ekspertët, si një mekanizëm për të rritur konkurrencën mes kompanive. Duke qenë individi ai që zgjedh shërbimin që i përshtatet më së shumti kërkesave të tij, kompanitë do të përpiqen që të përmirësojnë shërbimet e tyre. Berisha ka falënderuar bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, si institucionet shtetërore, ashtu edhe kompanitë celulare për implementimin e projektit të portabilitetit të numrit. Me këtë rast ai ka rikujtuar edhe një herë prioritetin që qeveria i ka dhënë teknologjisë së informacionit dhe dixhitalizimit. “Unë garantoj se qeveria e ka në epiqendër këtë zhvillim, ne nuk kemi një sektor ku të kemi përqendruar kaq shumë forca të kualifikuara dhe përpjekje sa në sektorin e telekomunikacionit, e sektorit të moshës dixhitale dhe efektet janë të jashtëzakonshme”, tha kreu i qeverisë. Me hyrjen në fuqi të portabilitetit të numrit, çdo qytetar mund të paraqesë kërkesën pranë kompanisë ku kërkon të marrë shërbimin dhe pa procedura të komplikuara bëhet klient i asaj kompanie por me numrin e një tjetre.
4 celulare operojnë aktualisht në tregun vendës. Me ofrimin e portabilitetit të numrit, çdo qytetar do mund të zgjedhë secilin nga shërbimet e njërit prej operatorëve, por pa qenë e nevojshme të ndryshohet numri.
Tarifat e telefonisë
Kreu i qeverisë ka komentuar dje edhe një herë një nga çështjet më të ndjeshme për fushën e telekomunikacionit që ka të bëjë me tarifat që kompanitë aplikojnë në vend. Pak kohë më parë, AKEP filloi zbatimin e një projekti për uljen e tarifave, sipas modelit BULRAIC. Lidhur me tarifat, Berisha u shpreh dje se qeveria është pro gjetjes së normave të pranueshme të tarifave për celularët. “Në mënyrë absolute e pranojmë dhe le të themi këtu publikisht se ato le të jenë edhe më të larta sesa të rajonit, për arsye se Shqipëria ka një dinamizëm të madh zhvillimi dhe rritjeje ekonomike, por ato duhet të jenë brenda rregullave”, tha ai.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











