Një nga objektivat më të rëndësishwm të Fondacionit për Liri Ekonomike (FLE), është promovimi i dijes dhe i potencialeve akademike si instrument për zhvillimin dhe lirinë ekonomike. FLE, me anë të programit të përthithjes dhe akumulimit të dijes përmes punës kërkimore, inovacionit dhe forcimit të kapaciteteve të burimeve njerëzore, synon të angazhojë akademike të fushave të ndryshme në një shkëmbim dhe bashkëpunim të ndërsjellë për rritjen e performancës ekonomike dhe mirëqenies në përgjithësi.
Në këtë kuadër FLE ka nisur projektin Rrjeti i Akademikëve të Rinj (RAR), i cili do jetë një forum i ngjashëm me “clubs” që organizohen në mjaft ambiente akademike nëpër botë. Pjesëmarrja në këtë forum do jetë e hapur, kryesisht për të gjithë ata akademikë (të atashuar pranë një universiteti si mësimdhënës), që ndajnë të njëjtat vlera apo të përafërta me parimet që mbron dhe evokon Fondacioni për Liri Ekonomike. Programi “15 Javë x 15 Ide” është një ndër nismat e para që do ndërmerren nga Rrjeti i Akademikëve të Rinj dhe do synojë debatin akademik të grupit të parë të akademikëve të identifikuar dhe ftuar për t’u bërë pjesë e kësaj nisme nga FLE. Programi “15 Javë x 15 Ide” do të organizohet në formën e workshop-eve. Ai do të shtrihet në 15 javë, gjatë të cilave secili nga 15 akademikët do të mbaje një kumtesë, mbi të cilën do të ndërtohet debati në vijim. Secila prej studimeve akademike që do paraqiten, do të synojë të shtjellojë një tematikë, e cila përbën një çështje me rëndësi për zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të vendit.
Aktiviteti i serisë së tryezave të përbashkëta parashikohet të organizohet në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës (UET) dhe do të shtrihet në një hark kohor prej 15 javësh. Gjatë çdo tryeze të radhës, do të prezantohet kumtesa e përgatitur nga një lektor dhe do të argumentohen dhe diskutohen çështje dhe tema me interes, si strategjitë e nevojshme për liberalizimin e sektorëve tw ndryshëm të tregut, përmirësimi i eficiencës së tregut, ndryshime strukturore, rritja e qëndrueshme e produktivitetit,dhe zhvillimit socio-ekonomik në përgjithësi. Këto aktivitete janë të dizenjuara të jenë në një ndërveprim të plotë me audiencën, e cila është e targetuar nga grupe studentore, të përzgjedhura për të marrë pjesë aktive në diskutim dhe të përftoje informacionin e nevojshëm në lidhje me qëllimet, strategjitë, metodologjitë, si dhe aplikimin e punëve kërkimore të paraqitura për temën e diskutuar.











