Eksperti i IT-së, Gent Progni, ka ironizuar ministren e Shëndetësisë gjatë protestës së 45-të para Kryeministrisë, duke iu referuar një denoncimi që ka marrë nga qytetarët për një çantë luksi me vlerë 6 mijë euro.
Progni tha se një familje e kishte informuar se kishte parë ministren në aeroport me çantë 6 mijë euro, duke u shprehur se ky rast kishte shtuar edhe më shumë mbështetës në protestë.
“Më erdhi një denoncim dje nga një familje. Kishin parë ministren e Shëndetësisë në aeroport me një çantë 6 mijë euro. I kishin thënë se sapo kishte shtuar dy njerëz të rinj në protestë vetëm nga kjo çantë”, deklaroi ai.
Ai i bëri thirrje ministres që ta shesë çantën dhe paratë t’i dhuroj te donacioni që ka kërkuar për pajisjet spitalore.
“I them ministres së Shëndetësisë, shite atë çantë dhe fute te donacionet që ke kërkuar për spitalet, të bësh edhe një nder”, u shpreh Progni.
Ai falenderoi me ironi edhe deputetët Taulant Balla dhe Sara Mile që, sipas tij, kanë folur për të në media dhe Parlament.
“Gjithashtu, duhet të falënderoj dy influencerat e mi të rinj, Taulant Ballën dhe Sara Milën, të cilët nuk kanë lënë televizion dhe Parlament pa më përmendur. Ua kanë mbushur mendjen edhe atyre skeptikëve që Genti e ka vërtet këtë protestë, kështu që faleminderit shumë”, tha ai.
Gent Progni: Më erdhi një denoncim dje nga një familje. Kishin parë ministren e Shëndetësisë në aeroport me një çantë 6 mijë euro. I kishin thënë se sapo kishte shtuar dy njerëz të rinj në protestë vetëm nga kjo çantë, dhe ministrja, me gjithë arrogancën, ishte kthyer duke qeshur. I them faleminderit ministres që na shtove edhe dy të tjerë. Dhe nga ata do të shtohen edhe katër të tjerë.
Gjithashtu, duhet të falënderoj dy influencerat e mi të rinj, Taulant Ballën dhe Sara Milën, të cilët nuk kanë lënë televizion dhe Parlament pa më përmendur. Ua kanë mbushur mendjen edhe atyre skeptikëve që Genti e ka vërtet këtë protestë, kështu që faleminderit shumë.
Sidomos Sara Milës, e cila është aty me votat e kriminelëve që janë në burg. Faleminderit shumë edhe Sara Milës. Gjithashtu, i them ministres së Shëndetësisë, shite atë çantë dhe fute te donacionet që ke kërkuar për spitalet, të bësh edhe një nder.
Faleminderit edhe atyre sufllaqexhinjve që janë mërzitur për atë ligjin ironik të sufllaqeve. Shumë faleminderit që na komentoni negativisht, sepse duke ju lexuar ju, na shtohen edhe më shumë njerëzit.
Dhe sot, duke parë që është edhe gjysmëfinalja e Botërorit, shihni sa shumë njerëz ka këtu. Kur ishim atje te Blloku, ata 20 të rinj protestues që na arrestuan pa të drejtë, sepse i gjuajtëm deputetët me vezë, pyeta një nga policët dhe i thashë: “Kur janë larë për herë të fundit këto batanije?”. Më tha se kanë nja dy muaj. I them Sara Milës, interesohu për ata votuesit e tu atje në burg, t’ua lajnë më shpesh batanijet.
Dhe kam një sugjerim, meqë kemi një grupim jo të vogël që është i shqetësuar për ligjin 21/2024, ta themi edhe ne më shpesh, anuloni ligjin 21/2024, sepse po reagojnë edhe ndërkombëtarët për këtë ligj. Bëni një nder vetes, na bëni edhe neve një nder. Por ne nuk e harrojmë që kërkesa kryesore është: “Rama, jep dorëheqjen!”. Duke dhënë Rama dorëheqjen, më besoni të gjithë gurët e dominosë do bien një e nga një.
© Panorama.al











