Çamët në kufi, PDIU: Shteti dhe BE të reagojnë

Sep 29, 2011 | 10:51

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me anë të anëtarit të kryesisë së Durrësit, Sali Bajo, e cilësoi kthimin e çamëve në kufi nga policia greke një akt të dënueshëm. Sipas, Bajos, nuk mund të tolerohet shkelja e të drejtave themelore të njeriut, siç kanë bërë grekët me kthimin e çamëve në kufi. “Kthimi i qytetarëve shqiptarë që kanë lindur në Çamëri në kufirin e Greqisë është kthyer, fatkeqësisht, në një fenomen të përsëritur. Këtë akt ndaj shqiptarëve të Çamërisë, PDIU e konsideron të patolerueshëm dhe të dënueshëm. Shteti shqiptar duhet të veprojë ashtu siç i takon një shteti modern për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të vet. Tashmë është detyrë e Bashkimit Europian, e të gjithë miqve të Shqipërisë, të ndërhynë përpara se kjo sjellje të marrë përmasa të paparashikueshme”, u shpreh përfaqësuesi i PDIU-së.

Bollano: Minoritetet s’marrin pjesë në Census
Përfaqësuesit e minoritetit, nëpërmjet një deklarate për mediat, e quajnë censusin e popullsisë dhe banesave, regjistrim statistikor që ka për qëllim tkurrjen artificiale të tyre, prandaj u bëjnë thirrje minoritarëve të mos marrin pjesë në të. “Ne konkludojmë se ky regjistrim nuk ka për qëllim evidentimin real të pjesëtarëve të minoriteteve, por përkundrazi, tkurrjen e tyre statistikore, artificiale dhe përligjjen në këtë mënyrë të politikave të regjistrimit komunist në lidhje me to. Ne deklarojmë se nuk e njohim atë proces dhe as produktin e tij. Ne, përfaqësuesit e minoriteteve etnike dhe etnokulturore, u drejtohemi anëtarëve tanë që të mos përfshihen në një census që nuk i shërben zgjidhjes së problemeve aktuale, por shtimit dhe konfliktimit të mëtejshëm të tyre”, u shpreh Bollano në emër të PBDNJ-së.

© Panorama.al

Te lidhura