“Ca mendime modeste mbi politikën e ditës”

Dec 6, 2025 | 8:59

NGA AURON TARE auron-tare

Një artikull për Shqipërinë, botuar së fundmi në gazetën konservatore amerikane “Washington Examiner”, u shpërnda me entuziazëm nga mediat opozitare shqiptare duke hequr paralele midis Ramës në Shqipëri dhe Maduros në Venezuela, një krahas im i përdorur shpesh nga retorika e opozitës. Përdorimi i krahasimeve të tilla në fakt e bën edhe këtë slogan qesharak, “Ramaduro” po aq të pavlerë sa “Ta bëjmë Shqipërinë Great Again”, një slogan që në podiumet e fushatës më shumë krijonte trishtim sesa humor, po të mendosh se njerëzit që e shqiptonin synonin të merrnin fatet e vendit në dorë.

Duke u kthyer tek argumenti kryesor, krahasimi Rama–Maduro, apo Shqipëri– Venezuelë, këtej oqeanit nuk ngjall asnjë interes real, madje as tek ajo pakicë konservatore republikane që ka dëgjuar ndonjëherë se ku ndodhet Shqipëria. Përkundrazi, ajo që vret sytë është zelli servil i opozitës shqiptare për t’iu bashkuar kauzave të brendshme amerikane duke i importuar në realitetin shqiptar, një përpjekje që prodhon banalitet dhe humor. As “Make Albania Great Again” e as “Ramaduro” nuk kanë asnjë lidhje me realitetin politik e shoqëror të Shqipërisë. Për konservatorët amerikanë që kuptojnë nga politika e jashtme, krahasimi i Shqipërisë politike me Venezuelën politike është pa kuptim.

Interesat amerikane ekonomike dhe gjeopolitike ndaj Venezuelës nuk kanë as një ngjashmëri me realitetin shqiptar dhe asnjë lidhje me akuzat me të cilat opozita jonë kërkon të bëjë politikë ditore.

Për të sqaruar publikun e interesuar mund të lexoni si më poshtë

1. Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, më shumë se Arabia Saudite dhe Irani (Burimi: OPEC & Departamenti Amerikan i Energjisë).

Shqipëria ka naftë “me pikatore”.

Në Venezuelë, pavarësisht problemeve të mëdha, 90% e të ardhurave nga nafta përdoren në ekonominë vendase.

Në Shqipëri, ende nuk dihet qartë kush përfiton nga nafta, sa fitohet dhe sa për qind i hyn ekonomisë.

2. Çështjet sociale për të cilat konservatoret amerikane janë mjaft të interesuar Shqipëria dukshëm është më liberale se Venezuela

Parlamenti i Venezuelës apo Qeveria e Maduros nuk ka miratuar as Ligje dhe as vendime për ndryshimin e identitetit gjinor, legalizimin e martesave të të njëjtit seks, nisma të tipit “prind 1 / prind 2”.

Ligje për barazi gjinore

Ndërkohë, Parlamenti i Shqipërisë së fundi miratoi Ligjin për Barazinë Gjinore duke liberalizuar më shumë hapat e mëparshme miratuar nga Berisha II mbi këtë çështje. Të gjitha këto hapa ligjore e vendosin Shqipërinë shumë larg konservatorizmit venezuelian dhe shumë larg asaj që një auditor amerikan konservator do të quante “regjim majtist radikal”.

3. Droga: Meksika, jo Venezuela, është problemi i SHBA-ve

Sipas burimeve zyrtare amerikane (DEA, Cato Institute, IDPC):

Meksika është burimi dominues i: fentanilit, heroinës, metamfetaminës, shumicës së kokainës që hyn në SHBA.

90% e kokainës për SHBA kalon nëpër korridorin:

Amerika e Jugut ’! Amerika Qendrore ’! Meksika ’! SHBA dhe jo nga Venezuela.

Venezuela është vetëm një vend tranziti modest, me flukse shumë më të ulëta se vende të tjera si Guatemala. Fentanili nuk ka asnjë lidhje me Venezuelën, pasi prodhohet nga kartelet meksikane me përbërës nga Azia. Pra, sipas vetë institucioneve amerikane, Venezuela nuk përbën kërcënim real për SHBAtë për sa i përket trafikut të drogës. Për këtë arsye, bazuar në informacionet zyrtare amerikane dhe në agjendat konservatore këtu, bëhet e qartë se, krahasimi Shqipëri–Venezuelë është politikisht bosh, nuk mbështetet as nga realiteti ekonomik, as nga politikat sociale, as nga gjeopolitika amerikane dhe as nga faktet e trafikut të drogës.

Prandaj përdorimi i parullave të tipit “Ramaduro” apo kopjimi i kauzave amerikane në realitetin shqiptar thjesht e bën opozitën shqiptare të duket jo serioze, e shkëputur nga realiteti i vendit, dhe e paaftë të prodhojë një narrativë të veten.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura