
Të ardhurat dhe shpenzimet e projektbuxhetit 2012 janë diskutuar më shumë mes batutash të kampeve politike në Komisionin e Ekonomisë, sesa mes diskutimeve me përfaqësues të Ministrisë së Financave.
I planifikuar për t’u zhvilluar mëngjesin e djeshëm, takimi u shty për në darkë nga ana e komisionit për shkak se opozita këmbënguli që një përfaqësues politik i Ministrisë së Financave të ishte përballë deputetëve. Në diskutimin e mbrëmjes të projektbuxhetit, zëvendësministri Alfred Rushaj dha sqarimet për pyetjet drejtuar nga deputetët e majtë dhe të djathtë. Pikëpyetja më e madhe që ngriti opozita ishte ajo rreth planifikimit realist të të ardhurave, të cilat, sipas deputetëve të PS-së, kanë pasur një trend negativ. Nga ana e zëvendësministrit Rushaj u komentua se parashikimi pozitiv që Ministria e Financave i ka bërë rritjes së të ardhurave lidhet me një sërë faktorësh. E para, sipas Rushajt, është ndryshimi në ligjin për akcizat. Ligji nuk do të ketë ndryshim në vlerë, por përafrim me direktivat e BE-së, që garantojnë kontroll dhe mbikëqyrje më të mirë. “Janë dy iniciativa të rëndësishme; njëra që ka të bëjë me akcizat që përafron standardin europian, por edhe rregullon dhe kontrollon më mirë nxjerrjen e akcizës. Një tjetër indikator është ai i përmirësimit fiskal që lidhet me pajisjet fiskale. Aktualisht ne kemi të instaluar rreth 80 për qind të kasave. Ky vit ka qenë viti ku administrata ka vënë theksin më tepër te pajisja e tatimpaguesve me kasë. Të dhënat që ne kemi, që janë indikatorë të rëndësishëm, janë nga shitja me pakicë e hidrokarbureve. Na rezulton që stacionet e pompave të shitjes me pakicë të karburanteve i kanë dyfishuar shitjet nga periudha që nuk kishin kasë fiskale. Natyrisht, në këto llogaritje ne kemi zbritur efektin e rritjes së çmimit të karburantit”, detajoi Rushaj, duke shtuar se 700 milionë lekë të amnistisë janë ende të pallogaritura në buxhet. Deputetët e Partisë Socialiste i janë rikthyer edhe njëherë riskut që vjen nga mosplanifikimi realist i buxhetit. Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, u shpreh se shifrat e projektligjit të vitit 2012 janë më të ulëta sesa shumë nga shifrat e 2011-s. “Ne si opozitë jemi të bindur që objektivat afatmesme nuk janë më në rrezik, por janë të pamundura dhe fatkeqësisht në një moment të mëvonshëm do të shohim rritje të borxhit publik”, tha ai. Por diskutimi serioz i të ardhurave dhe shpenzimeve doli nga ky kuadër dhe përfundoi në një komision batutash me protagonist deputetin Flamur Noka dhe Andis Harasanin.
Institucionet
Mimi Kodheli: Ju, kur bëni planifikimin e të ardhurave, keni parasysh disa faktorë që i referoheni. Sigurisht që ka një trend historik të rritjes së të ardhurave. Sa keni planifikuar që vjen nga performanca më e mirë e administratës, sa nga ndryshimi në çmime? E bëj këtë pyetje të di nëse Ministria e Financave kupton se si performon administrata e saj. Më rezulton që me të dhënat që ju nxirrni, nuk keni këtë lloj ndarje. Që dhe ju kur të dilni që ky është buxheti më i madh i miratuar ndonjëherë, të jetë e qartë.
Alfred Rushaj: Që ky është buxheti më i madh i miratuar ndonjëherë, është me shifra. Ajo që ne kemi parashikuar të marrim neto nga përmirësimi administrativ në Tatime e rendit 4.4 për qind më shumë, ndërsa për Doganën 1.3 për qind më shumë. Ku e kemi bazuar këtë lloj llogaritjeje? Janë dy iniciativa të rëndësishme; njëra që ka të bëjë me akcizat që përafron standardin europian, por edhe rregullon dhe kontrollon më mirë nxjerrjen e akcizës. Një tjetër indikator është ai i përmirësimit fiskal që lidhet me pajisjet fiskale. Aktualisht kemi të instaluar rreth 80 për qind të kasave. Ky vit ka qenë viti ku administrata ka vënë theksin më tepër te pajisja e tatimpaguesve me kasë. Të dhënat që ne kemi, që janë indikatorë të rëndësishëm, janë nga shitja me pakicë e hidrokarbureve. Na rezulton që stacionet e pompave të shitjes me pakicë të karburanteve i kanë dyfishuar shitjet nga periudha që nuk kishin kasë fiskale. Natyrisht, në këto llogaritje ne kemi zbritur efektin e rritjes së çmimit të karburantit.
Arben Ahmetaj: Shifrat e projektligjit të vitit 2012 janë më të ulëta sesa shumë nga shifrat e 2011-s. Ne si opozitë jemi të bindur që objektivat afatmesme nuk janë më në rrezik, por janë të pamundura dhe fatkeqësisht në një moment të mëvonshëm do të shohim rritje të borxhit publik. Si do t’i përballojë Shqipëria shpenzimet, po interesat, po rritja e pagave dhe pensioneve?
Alfred Rushaj: Zoti Ahmetaj, thjesht do doja të garantoja që qëndrueshmëria e financave publike është në duar të sigurta. Deficitin e kemi në nivelin që kemi parashikuar, në afatmesëm, dhe borxhin nën 60 për qind. Kemi demonstruar gjatë viteve që këtë gjë e kemi bërë dhe do vazhdojmë ta bëjmë.
(Deputetët fillojnë të debatojnë mes njëri-tjetrit).
Mimi Kodheli: A ka mundësi të mos bëjmë pazar të rëndomtë, por ta lëmë njëri-tjetrin të flasë?
Flamur Noka: Shiko, se ju keni gjithë këtë kohë që vetëm flisni dhe debatoni.
Mimi Kodheli: Se çfarë bëjmë ne mes nesh, është puna jonë. Kryetar, ose do ta frenoni Flamurin, ose ne do të çohemi dhe do të ikim. Kërkojini kolegut tuaj të përmbahet.
Flamur Noka: Ose raportoni shifrat që keni, ose mos raportoni me njëri-tjetrin.
Edmond Spaho: Do ju lutem të gjithëve të respektoni njëri-tjetrin.
Andis Harasani: E kam shumë miqësore këtë. A ka mundësi që ne si komision të nxjerrim në rregullore që nuk lejohen doktorët në komision ekonomie?
Arben Malaj: E para, do kërkoja nga kolegët e maxhorancës t’i qartësoja që debati mbi të ardhurat nuk është kush i ka shifrat më të sakta. Për të parë sa serioz është buxheti dhe sa ndikon implementimi i tij gjatë një viti, kur të ardhurat janë jorealiste, siç ishte në 2011-n dhe 2010-n. Pikërisht për shkak të keqparashikimit, buxheti u ndryshua tri herë. Ndryshimet në buxhet në mesvit tregojnë papërgjegjshmëri dhe çorodisin biznesin.
Ervin Koçi: Buxheti i vitit 2012 në kahun e të ardhurave është një dështim, kjo është një tendencë që ka qenë e pranishme 4-5 viteve të fundit. Të ardhurat reale kanë ardhur në ulje dhe ju e keni pasur si praktikë që e paraqisnit dhe më vonë e hoqët, sepse ecuria ishte negative. Buxhet jorealist.
Flamur Noka: Ore, kemi të drejtë të flasim dhe ne. (Ndërhyn Harasani) Zoti Harasani, të lutem shumë. Ne po diskutojmë një projektbuxhet. Ajo që duhet të diskutojmë janë realizimi i të ardhurave sivjet në raport me vjen dhe shpenzimet. Duhet që diskutimet tuaja të përmbaheshin çfarë parashikojmë për të ardhurat dhe shpenzimet. Të ardhurat e vitit 2012 janë më të larta se 2011-n, shpenzimet e vitit 2012 janë më të vogla se të vitit 2011. Ju vetëm me këtë duhet të thoni që kjo qeveri e ka marrë seriozisht këtë situatë, si gjithmonë. Duhet të thoshit të paktën që ky buxhet duhet të vlerësohet në kohën kur në rajon ka pllakosur kriza. Jemi e vetmja ekonomi që parashikon rritje rrogash dhe pensionesh. Të paktën këtë përmende. Ore zotëri, nuk është faji im që ca shifra tuajat jua jep Caci dhe ca Cani. Ore, rakordoni shifrat dhe hajdeni. Hiqini syzet rozë dhe hajdeni.
Andis Harasani: Jam shumë dakord me gjithçka tha doktor Flamuri. Mendoj që ky komision të marrë vendim dhe ta çojë në Itali të zgjidhë krizën atje. Unë për vete votoj pro.
Nertila Maho











