Parlamenti do të nisë nesër diskutimet në parim për buxhetin e vitit të ardhshëm, priten debate mes PS e PD. Të pavarurit, pranohet vetëm kërkesa e Shkollës së Magjistraturës
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ekonomisë, u ra dakord me konsensus nga të dyja palët që t’i shtohet një fond prej 50 milionë lekësh Shërbimit Informativ Shtetëror. Kërkesa e SHISH-it u bë në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dy ditë më parë dhe u pranua nga të gjithë deputetët. “Ne e kemi diskutuar buxhetin, kemi diskutuar gjithë komponentët dhe, me sa shoh në gjithë këto komente që kanë ardhur, kemi vetëm një propozim të miratuar me konsensus nga Komisioni i Ligjeve për një shtesë fondi 50 milionë lekësh për SHISH dhe nuk ka asnjë propozim tjetër të ardhur deri këtu. Ndërsa diskutimet them që duhet t’i diskutojmë në seancë”, u shpreh në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ekonomisë, deputeti i PD-së, Selami Xhepa. Ndërsa deputeti i PS-së, Arben Malaj, theksoi se “Selamiu përmendi që për SHISH qenkan dhënë 50 milionë. Nuk jemi në këtë situatë buxhetore që edhe për SHISH element i sigurisë tonë kombëtare të bëhet debat publik pa fund në komisione duke treguar që s’ka as naftë, as letër. Problemi është që ky nuk është viti i parë. Sa herë jemi ne këtu, ka tre-katër vjet që është i njëjti shqetësim me Prokurorinë, me SHISH, me Gjyqësorin”. Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve zhvilloi dje seanca dëgjimore me disa prej institucioneve të sistemit të Drejtësisë, ku një pjesë e tyre u mbështet në kërkesën për rritje të buxhetit. Kështu, Shkolla e Magjistraturës kërkoi para deputetëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave një rritje prej 3 milionë lekësh për zhvillimin e sesioneve trajnuese për gjyqtarët dhe prokurorët. Pas insistimit edhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave ra dakord për t’i dhënë një shtesë prej 2 milionë lekësh këtij institucioni. Gjithashtu, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori një fond prej 2 milionë lekësh për pajisje kompjuterike, ndërsa Komisioni për mbrojtjen e të dhënave personale mori një fond shtesë prej 1 milion lekësh për shërbimin e internetit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi një shtesë fondi prej 3 milionë lekësh për rikonstruksionin e një magazine në Lundër dhe ruajtjen e saj, por kjo kërkesë nuk u mbështet nga deputetët dhe Ministria e Financave. Kërkesa për një fond prej 720 mijë lekësh iu refuzua edhe Komisionit të Shërbimit Civil.
Replikat në Komision
Në mbledhjen e Komisionit kur po diskutohej buxheti i Shkollës së Magjistraturës, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi tha se “Në kulmin e krizës ekonomike, qeveria nuk e ka problem t’i shtojë një fond prej 3 milionë lekësh këtij institucioni. Aq më tepër që është edhe pjesë e 12 rekomandimeve për të marrë statusin”. Ndërsa Rusmali replikoi, duke thënë “E dinim që varej statusi nga vota juaj, por u varka nga Shkolla e Magjistraturës”. Në fund të diskutimit, edhe përfaqësuesja e Financave, Mimoza Dhëmbi, pranoi dhënien e 2 milionë lekëve, duke thënë “Meqë varet statusi i vendit kandidat nga Shkolla e Magjistraturës, jemi dakord me shtimin e fondit”.
Vendimet e Komisionit të Ligjeve
– Shërbimit Informativ Shtetëror i është shtuar fondi prej 50 milionë lekësh të rinj.
– Shkollës së Magjistraturës iu shtua fondi prej 2 milionë lekësh për realizimin e sesioneve trajnuese.
– Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori një fond shtesë prej 2 milionë lekësh për pajisje kompjuterike.
– Komisionit të Shërbimit Civil iu refuzua kërkesa për të marrë një fond prej 720 mijë lekësh për shoferët.
– Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu refuzua kërkesa për një shtesë fondi prej 30 milionë lekësh për rikonstruksionin e një magazine në Lundër dhe ruajtjen e saj.
– Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori një fond shtesë prej 1 milion lekë për shërbimin e intranetit.











