Deficiti i buxhetit në muajin nëntor ka bërë një kërcim “stratosferik” po të kemi parasysh rritjen modeste të tij në muajt e fundit, duke u rritur në vlerë me 60 milionë dollarë. Treguesit fiskalë të 11-mujorit reflektojnë një deficit në nivelin 37 miliardë lekë, nga 31 miliardë që ishte një muaj më parë. Rritja, të paktën nga analiza e zërave, rezulton të ketë ardhur nga interesat në një pjesë të konsiderueshme, por ka dhe zëra të tjerë, siç janë subvencionet, edhe pse rritja e tyre ka qenë në nivele modeste nga muaji në muaj. Logjikisht, nëntori do të kishte këtë kapërcim në rritjen e deficiti, kjo pasi Ministrisë së Financave iu desh që të paguante për eurobondin e emetuar një vit më parë. Në nëntor qeveria pagoi rreth 22 milionë euro për të shlyer këstin e parë të huamarrjes 300 milionë euro. Rritja e shpenzimeve në zërin e interesave, në fakt, është më e dukshmja, pasi nga 30 miliardë lekë që ishte një muaj më parë, për nëntorin shpenzimet janë rritur me 7 miliardë lekë. Lidhur me subvencionet, qeveria duket se ka shpenzuar gati dyfishin e asaj që kishte parashikuar për projektet social-kulturore të institucioneve. Nëse plani vjetor parashikon shpenzime 1.7 miliardë lekë si subvencione, në 11-mujor ato kanë arritur 3.1 miliardë lekë.
Akti normativ
Buxheti i këtij viti do të plotësojë “numrin tradicional” të ndryshimeve prej tri herësh. Qeverisë, në fund të dhjetorit, me shumë gjasa do t’i duhet që të përgatisë një tjetër akt normativ që do të rregullojë dhe balancojë zërat e buxhetit për gjendjen reale, duke qenë se nga treguesit e 11-mujorit rezulton që realizimi i të ardhurave të jetë shumë larg buxhetit të rishikuar dhe relativisht larg të pritshmit të deklaruar tashmë. Kështu, nëse qeveria priste që sipas buxhetit të rishikuar në korrik të realizonte për këtë vit 344 miliardë lekë të ardhura, akti normativ pritet ta ulë këtë shifër te realizimi real, i cili kurrsesi nuk do të jetë kaq optimist. Në kuadrin makro-fiskal qeveria ka “korrigjuar” pritshmërinë e saj dhe është ulur në nivelin e 329 miliardë lekëve të ardhura për vitin 2011. Kjo tingëllon si një plan më realist po të kemi parasysh që diferenca nga njëri parashikim te tjetri është me plot 16 miliardë lekë. Pra, për dhjetorin qeverisë do t’i duhet që të realizojë 33 miliardë lekë dhe falë importit dhe konsumit në vend, që rrjedhimisht rritet për shkak të festave, ka gjasa që plani në mos të realizohet, të paktën të jetë afër. Për 11 muaj qeveria ka arritur që të realizojë 295 miliardë lekë. Në kahun e shpenzimeve, qeveria prej muajsh ka stopuar prokurimet dhe çdo blerje e institucioneve realizohet me lejen e Financave. Në 11-mujor shpenzimet arritën 333 miliardë lekë, ndërkohë që pritshmëria është që deri në fund të dhjetorit ato të arrijnë 376 miliardë lekë. Qeveria do të vijojë të tregohet e kujdesshme për të ruajtur nivelet e deficitit, dhe kjo është theksuar jo pak herë nga Ministria e Financave, e cila tani është shumë më pak optimiste se në fillimin e këtij viti. Për të ruajtur parametrat në buxhet qeveria këtë vit do të lërë pa shpërblimin 5 mijë lekësh pensionistët dhe me 10 mijë lekë shpërblim administratën.
295 miliarde leke
është realizimi i të ardhurave në buxheti për 11-mujorin e këtij viti, sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave. Deri në fund të dhjetorit pritet që totali të jetë 329 miliardë lekë
333 miliarde leke
është realizimi i shpenzimeve në buxhetin e këtij viti, sipas treguesve të 11-mujorit. Në kuadrin makro-fiskal pritet që shpenzimet deri në fund të këtij viti të arrijnë 376 miliardë lekë
37 miliarde leke
arriti deficiti buxhetor në fund të muajit nëntor, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Një muaj më parë ky deficit ishte 31 miliardë lekë dhe rritja në nëntor është pothuajse 50 milionë euro
Transferimet e BSH
Banka e Shqipërisë ka tejkaluar planin e transferimit të fitimit në buxhet. Nga 5.2 miliardë lekë të parashikuara në planin vjetor, nga treguesit e 11-mujorit rezulton të jenë transferuar deri në fund të nëntorit 5.4 miliardë lekë, çka në përqindje është 104 për qind e planit të caktuar për Bankën.

Argumentimi i Fullanit
Banka uli normën e interesit me shpresën e një deficiti të vogël
Banka e Shqipërisë, përmes uljes së normës bazë të interesit të lekut dy herë në pak kohë, përveçse ka dashur të nxisë më shumë ekonominë në vend, i ka dhënë një dorë lehtësuese edhe qeverisë në kahun e borxhit. Në daljen e tij para mediave në fund të nëntorit, pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes që e uli normën e interesit të lekut në nivelin 4.75 për qind, guvernatori Ardian Fullani theksoi se kjo nismë merrej edhe në mbështetje të treguesve fiskalë të kontrolluar. “Ulja e normës bazë të interesit ndërmerret në kushtet e presioneve të kontrolluara inflacioniste përgjatë horizontit kohor të politikës monetare, si dhe në mbështetje të pritjeve për një politikë fiskale më të përmbajtur gjatë periudhës së ardhshme”, tha saktësisht Fullani. Ndërkohë që ai u ndal edhe në rëndësinë që ka ruajtja e niveleve të kontrolluara të deficitit dhe borxhit publik. “Banka e Shqipërisë e vlerëson borxhin publik si një nga treguesit më të qenësishëm të stabilitetit makroekonomik të vendit. Në këtë kontekst, ne inkurajojmë autoritetet fiskale në marrjen e masave të duhura për garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të këtij borxhi”, tha guvernatori. Ndryshimi i normës erdhi edhe si rezultat i stopimit të të gjitha prokurimeve për projekte ku ishte aktiv biznesi. Ulja e normës konsiderohet si një lëvizje e favorshme që mund t’i japë mundësi biznesit të vetëfinancohet përmes kredisë.











