
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, përfundoi me Njësinë Bashkiake Nr. 3 turin e konsultimeve me qytetarët për projektbuxhetin e vitit 2012. Ai prezantoi para banorëve të kësaj njësie projektet më të rëndësishme. Me këtë buxhet parashikohet rikualifikim urban i bllokut te Kodra e Priftit, me një sipërfaqe prej 9,5 hektarësh, rikualifikim urban i bllokut “Sadik Petrela”, me një sipërfaqe prej 5 hektarësh, rikualifikim urban i bllokut “Qemal Stafa” dhe rikonstruksion i rrjetit K.U.Z. të këtij blloku. Ndërtimi i kanalit nga rr. “Dalip Topi” deri në rr. “Marije Kraja”, Rruga e Kokonozëve, rikonstruksioni i rr. “Bajram Çela”, rikonstruksion i Kopshtit Nr. 1, rikonstruksion i plotë i shkollës 9-vjeçare “Nikel Dardani” dhe Çerdhja Nr. 15. Në buxhet janë parashikuar edhe fonde për shpronësimin e banorëve të prekur nga rikualifikimi urban i sheshit “Shtraus”.
“Për Njësinë Bashkiake Nr. 3, në projektin që do t’i paraqitet të mërkurën Këshillit Bashkiak, ne kemi parashikuar këto investime: tre rikualifikime urbane me një sipërfaqe prej afro 17 hektarësh, ndërtimin e kanalit nga rruga ‘Vali Popi’ deri te rruga ‘Marie Kraja’, rikonstruksionin e rrugës ‘Bajram Çela’, rikonstruksionin e një kopshti, rikonstruksionin e një çerdheje dhe rikonstruksionin e plotë të shkollës ‘Nikel Dardani’”, tha Basha. Në buxhetin e vitit 2012 është parashikuar edhe fondi i posaçëm për stimulimin e nxënësve me nota dhjeta. Kryetari i Bashkisë tha se qëllimi i Bashkisë është për t’i treguar të gjithë shoqërisë dhe fëmijëve të qytetit se suksesi do të shpërblehet nga Bashkia e Tiranës. “Për vitin shkollor 2001-2012 ne kemi planifikuar për buxhetin në vitin 2012 një fond prej 64 milionë lekësh për 1730 për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe 380 nxënës të shkollave të mesme me nota 10. Kemi parashikuar një fond prej 14 milionë lekësh për të njëjtin qëllim për pagesën e periudhës 15 prill-qershor 2011, pagesë e cila nuk u krye nga Bashkia. Ky stimul paguhet jo vetëm për të stimuluar më të mirët dhe për t’u dhënë atyre mundësinë të vijojnë me të njëjtin kapacitet që kanë nisur, por për t’i treguar të gjithë shoqërisë dhe fëmijëve të qytetit se suksesi do të shpërblehet nga kjo Bashki”, shtoi Basha.
Etiketa e cilësisë
Duke nisur nga viti i ardhshëm do të hartohet një etiketë “tip” (format), e cila do të përmbajë, krahas çmimit dhe artikullin ushqimor të cilit ky çmim i referohet, cilësinë dhe vendin e origjinës. Kjo është nisma më e re e Bashkisë së Tiranës. “Konsumatori dëshiron të dijë edhe prejardhjen e produktit, pra është produkt vendi apo importi. Kjo i shërben, pa dyshim, jo vetëm transparencës ndaj konsumatorit, ndaj blerësit, por i
shërben edhe gjurmueshmërisë së produktit”, tha dje nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti. Sipas tij, çdo problem që ky produkt mund të ketë në raport me konsumatorin, dihet edhe vendi i origjinës, dhe kjo i shërben edhe Inspektoratit për të monitoruar dhe gjurmuar burimin e problemit, nëse ai do të ekzistojë.
ZIRINA LLAMBRO












