Bursa e Londrës, nafta prek rekordin e 114 dollarëve për fuçi

Feb 25, 2011 | 12:41

Alarmi i ekspertëve se nafta shumë shpejt do të prekte kufirin mes 115-120 dollarëve, është vërtetuar dje. Në bursën e Londrës një fuçi naftë arriti 114 dollarë, duke shënuar kështu një rekord të ri në luhatjet disamujore të çmimeve. Më pas bursa u stabilizua në nivelin e 111 dollarëve, por kjo duket se nuk i ka qetësuar aspak ekspertët. Disa prej tyre kanë vlerësuar se nëse trazirat në Libi do të vijojnë, çmimet e naftës bruto do të prekin edhe nivelin 220 dollarë për fuçi. E gjithë kjo rritje në bursa i është faturuar trazirave në Lindjen e Mesme, ku Libia tashmë prej ditësh po mbyll njëra pas tjetrës pikat e prodhimit të naftës. “Nëse trazirat do të përhapen edhe në Algjeri, atëherë prodhimi global do të tkurret në nivele të tilla, që nuk janë parë që kur Sadam Husein pushtoi Kuvajtin dhe filloi luftën e Gjirit”, shprehen ekspertët e Nomura Holding për “International Bussines Times”. Një komplikim i situatës në Algjeri do ta çonte prodhimin nga niveli 2.9 milionë fuçi në ditë në 2.1 milionë, çka do të shtynte çmimet drejt rekordit të vitit 2008, kur një fuçi naftë u shit 147 dollarë. Të gjitha këto ndikime direkte që situata në Lindjen e Mesme po shkakton në të gjithë botën, për ekspertët janë tregues të brishtësisë që ka sistemi global në total.
Ndërkaq, pavarësisht shtrenjtimit të çmimeve në bursa në vend, karburantet kanë pasur një lëvizje të vogël. Në vendin tonë rritja e çmimeve filloi qysh në nëntor, kur edhe bursa ndërkombëtare njohu rritje. Nafta aktualisht shitet mbi nivelet  160 lekë për litër, ndërsa benzina edhe më shtrenjtë. Lëvizja e çmimeve në vend varet nga situata në bursa, pasi një pjesë të mirë të karburanteve Shqipëria e importon. Rritja e çmimit të naftës, por edhe lëndëve të tjera të para, ka shkaktuar pesimizëm për rikuperimin ekonomik, ku pritet që rritja të ngadalësohet. Shtija e naftës në bursa tashmë prej muajsh është nën ndikimin e situatave politike si ajo e Egjiptit dhe më pas Libisë, Jemenit, apo të tjera vendeve në Lindjen e Mesme.

© Panorama.al

Te lidhura