Burri i dehur vret gruan, i fsheh kufomën një ditë

Dec 21, 2011 | 13:08

Një grua është vrarë me shtatë plumba arme zjarri nga i shoqi në Ndroq, ndërsa kufoma e saj ka qëndruar e fshehur në banesë të paktën për 24 orë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të martën, kur shtetasi Ylli Mancaku, 57 vjeç, ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij, shtetasen Shpresa Mancaku, 50 vjeçe. Dyshohet se autori i ngjarjes ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka qëlluar me armë, duke lënë të vdekur në vend bashkëshorten e tij. Ditën e djeshme ka qenë vajza e viktimës, e martuar në Kavajë, ajo e cila ka njoftuar Policinë. Pasi kishte ardhur nga Kavaja, vajza kishte hyrë në shtëpi dhe kishte gjetur nënën të vdekur, ndërkohë që ajo kishte 24 orë që nuk i përgjigjej në telefon, që prej ditës së hënë. Sipas burimeve nga Policia, e cila shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, pas vrasjes së gruas autori i krimit është vetëdorëzuar, duke paraqitur edhe armën e krimit para oficerëve të Policisë. Shërbimet e rendit që shkuan në banesën ku ndodhi ngjarja në Ndroq, thanë se gruaja 50-vjeçare ishte pa ndjenja në momentin kur policia shkoi në vendngjarje. Transportimi i saj drejt spitalit ka qenë i kotë, pasi gruaja nuk kishte shenja jete. Në këtë mënyrë, viktima është çuar në morg për autopsinë, ndërkohë që Policia ka dërguar në dhomat e izolimit autorin e krimit të rëndë, shtetasin Ylli Mancaku, 57 vjeç. Policia tha mbrëmë se ai ishte i papunë, person konsumator i alkoolit dhe, sipas banorëve të zonës, xheloz ndaj së shoqes.
Krimi në familje
Sipas Policisë, vrasësi i gruas së tij, shtetasi Ylli Mancaku, prej pasdites së të hënës për disa orë me radhë kishte konsumuar pije alkoolike duke humbur logjikën. Në orët e mbrëmjes, e shoqja ka dalë për të blerë disa gjëra të nevojshme për shtëpinë, ndërsa i shoqi e ka kërkuar atë nëpër banesë për disa minuta. Pasi nuk e ka gjetur të shoqen, shtetasi Ylli Mancaku ka marrë armën “Kallashnikov” që mbante pa leje në shtëpi dhe ka pritur. Në momentin e kthimit të gruas në banesë, një konflikt verbal ka ndodhur mes bashkëshortëve. “Ku ishte”, “përse shkove pa lejen time”, kanë qenë britmat e 57-vjeçarit ndaj së shoqes, siç dëshmuan më pas fqinjët për Policinë. Sherri ka zgjatur për disa minuta dhe më pas krisma e armës ka sjellë me vete edhe heshtjen që ka pllakosur për disa minuta banesën e familjes Mancaku. Një heshtje e cila vazhdoi deri pasditen e djeshme, kur vajza e viktimës, e cila kishte mbërritur nga Kavaja, gjeti kufomën e nënës dhe lajmëroi Policinë, ndërsa bindi edhe babain e saj që të vetëdorezohej. Nga këqyrja në vendin e ngjarjes ka rezultuar se shtetasja Shpresa Mancaku është vrarë brenda në banesën e saj, ku policia ka gjetur shtatë gëzhoja të armës së përdorur nga autori i krimit. I shoqi i viktimës, shtetasi Ylli Mancaku, është marrë në pyetje për disa orë mbrëmë në Policinë e Tiranës, por deklarimet e tij kanë qenë kontradiktore. Ai herë thoshte se ishte i pirë e nuk mbante mend, herë thoshte se kishte pirë me gruan, se kishte qenë e dehur edhe ajo dhe më pas fliste përçart.                          e.d

Hetimi
Policia e Tiranës ka deklaruar se ka vënë në pranga me akuzën e “vrasjes me dashje” shtetasin Yli Mancaku. Ai është vetëdorëzuar dje pas negociatave që ka bërë me vajzën e tij të mbërritur nga Kavaja. Tre fëmijët e çiftit ishin të martuar. Viktima jetonte me të shoqin, i cili prej kohësh ishte kthyer në përdorues të alkoolit, duke shkaktuar probleme e konflikte të vazhdueshme me bashkëshorten.

© Panorama.al

Te lidhura