Burgaj: Drejt zbardhjes vdekja e oficerit të SHISH, Isa Çopa

Dec 22, 2011 | 11:25
Isa Çopa, oficeri i SHISH, i cili u gjet i vdekur

DURRES – Misteri i vdekjes së oficerit të SHISH-IT, Isa Çopa, është në duart e ekspertëve të huaj. Shumë shpejt do të mësohet versioni zyrtar se ç’ndodhi mbrëmjen e 25 tetorit në Durrës, kur 45-vjeçari u gjet i djegur në makinën e tij. Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, deklaroi dje nga Durrësi se pista përfundimtare do të jepet vetëm pas daljes së analizave shkencore që po kryhen nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Vrasja apo vetëvrasja e oficerit të shërbimit sekret është një ndër ngjarjet e fundit të mbetura enigmë, ndodhur në Durrës. Në analizën e kryer dje mbi punën e Policisë së qarkut gjatë këtij viti, është deklaruar se kriminaliteti ka shënuar rritje të dukshme për vitin 2011, që nga vrasjet e deri te grabitësit e rrugës e krimi ekonomiko-financiar, ndërsa zbulueshmëria është në nivelin 83%.  Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Durrësit, Aleks Hajdari, ka bërë të ditur se nga ana e institucionit që ai përfaqëson janë marrë të gjitha masat për të përmirësuar punën dhe në zbardhjen e autorëve për disa vepra penale, që ende nuk janë identifikuar. Duke iu referuar tri ngjarjeve të fundit që kanë tronditur qytetin bregdetar, siç është ajo e oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror Isa Çopa, Juxhin Guza dhe Gentian Zguri (Gashi), kryekomisari tha se po punohet për identifikimin dhe më pas arrestimin e autorëve. Këto tri ngjarje të ndodhura brenda pak muajsh në qytetin e Durrësit kanë angazhuar një numër të madh hetuesish dhe ekspertësh, por ende nuk ka asnjë shenjë mbi autorët e tyre.          l.m

© Panorama.al

Te lidhura