Bunacë

May 29, 2011 | 11:47

EDMOND TUPJA

Ndoshta ky është termi që, sipas meje, i përshtatet deri diku mirë situatës që po jetojmë e përjetojmë qysh kur KQZ-ja nxori fitues të zgjedhjeve vendore zotin Basha, pra, humbës të tyre zotin Rama, dhe deri në vendimin që do të marrë lidhur me këtë çështje Kolegji Zgjedhor. Por ç’kuptojmë me fjalën “bunacë”? Sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), kemi të bëjmë me një term detar që do të thotë “det fare i qetë në prag stuhie”. Sigurisht që ky kuptim në rastin konkret, pra, në rastin e zgjedhjeve të 8 majit, duhet nuancuar: në fakt, stuhia filloi që nga momenti kur KQZ-ja u mblodh për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara dhe të gjithë qemë dëshmitarë që kjo stuhi u organizua nga udhëheqja e Partisë Socialiste, por, fatmirësisht, nuk pati të vrarë e as të lënduar rëndë. Nuk e di nëse kjo udhëheqje do të organizojë ndonjë stuhi tjetër të ngjashme para selisë së Kolegjit Zgjedhor; uroj që të mos e marrë një nismë të tillë shterpë, por, njëkohësisht, uroj me gjithë shpirt që, edhe në e hedhtë një hap të tillë, të mos ketë dhunë, rrjedhimisht të mos ketë as të lënduar, as të vrarë.
Nga ana, tjetër, në të njëjtin fjalor, zbulova që fjala “bunacë” na paska edhe tri kuptime të tjera, të cilat – koincidencë e habitshme – më duket se karakterizojnë, qoftë edhe pjesërisht, situatën që po jetojmë e përjetojmë. Kështu, fjala “bunacë” do të thotë edhe “ligatinë”; i njëjti fjalor na shpjegon se “ligatina” qenka një “vend me ujë; moçalishte”. Sigurisht, që ky kuptim, në rastin konkret, më shtyn të mendoj e të druaj njëkohësisht që, po qe se udhëheqja e Partisë Socialiste i qëndron parimit të saj se po të shpallet përfundimisht fitues i Bashkisë së Tiranës zoti Basha, ajo do të rifillojë protestat e tipit revoltë, pra, të dhunshme, atëherë situata do të degjenerojë në një moçalishte ku vendi (d.m.th.  ekonomia me investimet e brendshme dhe ato të huaja, niveli i jetesës, ai i sigurisë, si edhe besueshmëria e imazhi ynë përtej kufijve) do të zhytet dalëngadalë ose me hope dhe nga e cila asnjë parti nuk do të dalë pa u lagur e pa u baltosur.
Kuptimi i tretë i fjalës “bunacë”, gjithmonë sipas të njëjtit fjalor, qenka “errësirë e madhe”. Lidhur me gjendjen e krijuar në vend, situata e provokuar artificialisht nga strategjia dhe taktikat konfliktore të ndjekura prej udhëheqjes së Partisë Socialiste, i siguron së ardhmes afatshkurtër, por edhe asaj afatmesme të Shqipërisë, një mungesë perspektive të frikshme duke shuar atë rreze shprese sado të mekur që një pjesë e shqiptarëve ruajnë ende në shpirt.
Kuptimi i katërt dhe i fundit i fjalës “bunacë”, na mëson po i njëjti fjalor, është i figurshëm dhe shprehet me fjalën “amulli”. Amulli, sa për kujtesë, do të thotë “mungesë lëvizjeje”, por, figurativisht, pra, do të thotë “mungesë gjallërie e zhvillimi, mbetje në vend; gjendje e fjetur”. Nëse kreu i udhëheqjes së Partisë Socialiste mendon se “amulli” mund të shkruhet në shqipe të përçudnuar edhe “hamë ulli”, shumica e shqiptarëve (siç e treguan edhe zgjedhjet e 8 majit në shkallë republike), nuk dëshirojnë aspak që ta hanë atë kokërr ulliri që ai u propozon, sepse ata e dinë tashmë fare mirë se ajo kokërr ulliri nuk është kokrra e qershizës mbi tortë; ata e dinë tashmë po aq mirë që premtimi për një tortë allarama mund të mashtrojë vetëm ramianët, rameskët apo ramoidët e pandreqshëm, por jo ata që refuzojnë të manipulohen mendërisht, pra, ata që kanë sy për të parë, veshë për të dëgjuar e gojë për të folur, por edhe ndërgjegje për të gjykuar.

© Panorama.al

Te lidhura