Bulqizë, vagoni me krom përplas minatorin 42-vjeçar, plagoset

Feb 25, 2011 | 14:22

BULQIZE – Një minator është plagosur rëndë teksa punonte në thellësi të galerive të minierës, që i është besuar me koncesion firmës austriake Albanian Krom. Policia lokale njoftoi dje se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13.30, në nivelin 15, në një thellësi mbi 800 metra. Mësohet se minatori i plagosur quhet Bajram Neziri, 42 vjeç, lindur e banues në fshatin Peladhi të rrethit Bulqizë. Dëshmitarë okularë kanë sqaruar për grupin hetimor të ngjarjes se Neziri ishte në turnin e parë të punës dhe po punonte si minator në galeri. Në përpjekje për të lëvizur vagonët e mbushur me krom, njëri prej tyre ka dalë nga shinat dhe e ka përplasur pas murit të galerisë, duke i shkaktuar fraktura në këmbë. Kolegët e tij minatorë e kanë nxjerrë shumë shpejt nga thellësitë e galerisë, madje në ndihmë u kanë shkuar edhe punonjësit e sigurisë së minierës. Fillimisht i plagosuri është dërguar në spitalin e qytetit. Mjekët janë përpjekur të kuptojnë cilat janë dëmtimet e Nezirit, për të vendosur më pas nëse do të qëndronte në këtë spital, apo duhej dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë. Ndërkohë, zyrtarët e policisë dhe prokuroria e rrethit ka marrë në pyetje jo vetëm minatorët që janë ndodhur në vendin e ngjarjes, por kanë pyetur edhe përgjegjësin e sektorit, specialistët e trajnimit të minatorëve, etj., për të kuptuar si janë zbatuar rregullat e sigurimit në punë.                   h.p

© Panorama.al

Te lidhura