Bulqizë, minatorët në galeri pas rehabilitimit

Dec 8, 2011 | 12:52

BULQIZE – Minatorët e Bulqizës do t’i kthehen punës në minierë, por do të punohet me grupe pune për plotësimin e detyrave të lëna nga RISHM-i. Inspektorati i Shpëtim-Minierave në Ministrinë e Ekonomisë ka vendosur që puna për rehabilitimin në minierën e Bulqizës të rifillojë në disa nivele, me përjashtim të nivelit 16 që rezulton i rrezikshëm për jetën e minatorëve. Pas verifikimeve që u kryen është vendosur që minatorët e ACR-së të nisin punën e ndërprerë prej më shumë se 6 muajsh. Sipas drejtorit të Inspektim-Minierave, Refik Spahiu, minatorët do t’i rikthehen punës për të bërë punimet në të gjitha frontet e punës deri në një rehabilitim të plotë të galerive nëntokësore, gjë që e konfirmon edhe drejtori i minierës. Për Medat Zogun dje është zhvilluar një takim me specialistët e ACR-së Bulqizë dhe janë përcaktuar detyra konkrete për të gjitha grupet e punës që do të punojnë për riparimin e defekteve të mundshme. “Janë hartuar projekte konkrete për çdo nivel dhe front pune. Specialistët e ndërmarrjes do të ndjekin me kujdes zbatimin e të gjitha detyrave të ngarkuara nga RISHM-i. Më vonë do të diskutohet në lidhje me nisjen e punës për prodhimin e kromit. Vetëm në nivelin 16 është vendosur të mos kryhen punime rehabilituese, ndërkohë në të gjitha nivelet e tjera do të ndërhyhet që nga dita e sotme. Të hënën numri i minatorëve që do të nisin punën për riparimin e minierës do të jetë më i lartë”, pohoi drejtori i minierës Bulqizë, Medat Zogu. Inspektimi i fundit që u bë në minierën e Bulqizës erdhi si rezultat i kërkesës së vazhdueshme së Sindikatës së Minatorëve për të rinisur puna në galeritë e minierës.                              h.p

© Panorama.al

Te lidhura