
BULQIZË- Minatorët e Bulqizës kërkojnë mbajtjen e premtimit nga ana e ACR-së për rritjen e pagës në masën 20% dhe pagesë të plotë që nga dita e shpërthimit në minierë, kur u ndërpre puna, e cila sipas tyre ishte përgjegjësi direkte e kompanisë.
Në një takim të zhvilluar sot, minatorët kanë dalë me kërkesat konkrete me të cilat i drejtohen kompanisë dhe prej të cilës presin edhe zgjidhjen.
Ata pretendojnë se pas shpërthimit në galerinë 16-të të minierës kjo kompani u ka paguar atyre vetëm 50 për qind të pagës mujore.
Duke e cilësuar si jo të drejtë vendimin e ACR-së për t`u paguar vetëm gjysmën e pagës, minatorët shprehen nuk janë ata fajtorë të shpërthimit në galeri prandaj kërkojnë që paga t`u jepet e plotë.
Fill pas shpërthimit ku një minator humbi jetën dhe 8 të tjerë mbetën të plagosur, Reparti i Inspektim dhe Shpëtim Minierave pezulloi punën në minierën e Bulqizë dhe në galeritë e administruara nga ACR-ja.
© Panorama.al











