Bulqizë, minatorët apel biznesmenëve: Na ndihmoni, jemi pa bukë e ilaçe

Sep 15, 2011 | 11:56
Nga protestat e minatorëve të Bulqizës

BULQIZE – Në ditën e 75-të të ndërprerjes së punës në minierë, këshilli sindikal i minatorëve të Bulqizës ka bërë dje një kërkesë të veçantë. Për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, ata u kanë bërë thirrje biznesmenëve të këtij qyteti të ndihmojnë familjet e minatorëve, të paktën për t’u siguruar bukën, librat e  shkollës për fëmijët e tyre, si dhe ilaçet e të sëmurëve. Kryetari i këshillit sindikal, Dilaver Përkoxha, u shpreh se do të ishte mirë që tregtarët dhe firmat e këtij qyteti të ndihmonin minatorët në këtë situatë tejet të vështirë. “Kemi kërkuar hapjen e një numri llogarie dhe u kemi kërkuar biznesmenëve të na ndihmojnë në këto momente kritike. Kemi shumë besim se ata do të tregojnë humanizmin e tyre. Ka familje të minatorëve që nuk kanë bukë në banesat e tyre, të tjerë nuk kanë çuar fëmijët në shkollë. Ajo që është më e rëndë, ka minatorë të sëmurë kronikë, që nuk blejnë dot ilaçet e rekomanduara nga mjeku”, tha Përkoxha. Sipas këshillit sindikal, aq të mëdha janë borxhet, sa dyqanet nuk japin më ushqime me lista, madje janë vetë minatorët që nuk guxojnë t’i frekuentojnë ato, pasi borxhi është i lartë. Minatorët kanë rëndë dakord se, duke filluar që nga dita e sotme, nuk do të lejojnë asnjë punonjës të ACR-së të futet në minierë, pasi firma ende nuk ka marrë asnjë vendim, edhe pse kanë kaluar 75 ditë dhe gjendja e minatorëve sa vjen e rëndohet. Minatorët thanë se prania e forcave të policisë nuk i tremb ata në vijimin e protestës. Minatorët këmbëngulin në largimin e administratorit të ACR-së dhe në pagesën e sigurimeve shoqërore. Ata kanë kërkuar gjatë të gjithë këtyre muajve të grevës, rritjen e pagës, përmirësimin e kushteve të sigurisë, largimin e drejtorit të minierës, si dhe disa kërkesa që kanë të bëjnë sërish me kushtet e punës, përfshirë dushet etj. Gjendja në Bulqizë vijon të mbetet problematike, ndërsa ende nuk ka një hap konkret nga ana e ACR-së. Kjo e fundit u ka bërë disa herë thirrje minatorëve të vijojnë punën, ndërsa Sindikata e minatorëve i ka konsideruar këto thirrje si presione. 20 minatorë u futën edhe në grevë urie në thellësinë e nëntokës duke rrezikuar jetën e tyre, por ata u nxorën forcërisht nga policia.       h.p.

© Panorama.al

Te lidhura