BULQIZE – Minatorët e Bulqizës thanë dje se janë të pakënaqur me firmën austriake, ACR, pasi sipas tyre nuk u ka plotësuar kërkesat e bëra publike gjatë protestave të muajve të verës dhe gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes firmës dhe këshillit sindikal. Sekretari i sindikatës së minatorëve, Baki Bajraktari është shprehur dje se nuk përjashtohet mundësia e rikthimit te protestat, pasi ende ACR nuk u ka dhënë minatorëve pagën e 13-të si dhe pagesa nga 18 tetori i këtij viti ka qenë në masën 50 për qind. “Jemi të pakënaqur nga firma austriake, pasi ajo nuk po i mban premtimet e dhëna. 700 minatorë presin pagën e 13-të për të festuar Vitin e Ri. Ndërkohë ata nuk mund të paguhen me gjysmë page për faj të kompanisë. Presim reflektim të shpejtë të ACR-së, ndryshe do t’u kërkojmë minatorëve t’u kthehen lëvizjeve sindikaliste, protestave dhe ndoshta grevës së urisë”, deklaroi Bajraktari për “Panorama”. Sipas tij, minatorët nuk kanë nevojë për koncerte, por për lekë, pasi punojnë në kushte tejet të rënda. Ky reagim erdhi dje, në prag të festave të fundvitit dhe një koncerti bamirësie që kompania zhvilloi dje me fëmijët e minatorëve që kanë humbur jetën në galeri. Kryetari i bashkisë dhe të afërm të fëmijëve jetimë theksuan faktin e lidhjes së një pensioni për fëmijët që humbin prindërit në minierë. Në lidhje me deklaratën e Bajraktarit nuk ka pasur reagim nga kompania ACR. Që prej muajit qershor të këtij viti, në galeritë e kësaj firme nuk është punuar, për shkak të protestave e grevave të urisë e më tej me kushtet jashtë normave në minierë, që shkaktuan dhe një viktimë dy muaj më parë. h.p











