
BULQIZE – Policia Rrugore e Qarkut Dibër ka bllokuar dy autobusë që transportonin minatorët e firmës koncesionare ACR. Është konstatuar se ata i përkisnin një subjekti privat të palicencuar, dy automjetet nuk rezultonin të kolauduar dhe dy shoferët nuk kishin leje drejtimi për këtë lloj automjeti. Mësohet se efektivët e Rrugores kanë ushtruar kontroll në të gjitha makinat që lëviznin në aksin Bulqizë-Qafa e Buallit. Gjatë këtij kontrolli është konstatuar se ACR kishte nënshkruar marrëveshje me kompani autobusësh të palicencuar, çka solli dhe bllokimin e automjeteve në mjediset e Komisariatit të Bulqizës. Policia ka vendosur të kontrollojë të gjitha automjetet e tjera të transportit të minatorëve, pasi terreni është i thyer dhe mund të sjellë probleme gjatë udhëtimit nga Bulqiza drejt sektorëve minerarë. Drejtori i minierës së Bulqizës, Medat Zogu, tha se bllokimi i dy autobusëve nuk ka sjellë asnjë shqetësim për vijimin e punës në minierë. h.p











