Mesfushori Ervin Bulku e vlerëson ndeshjen ndaj Bjellorusisë si vendimtare për ecurinë e Shqipërisë në grupin eliminator. “Bjellorusia është kundërshtari ynë direkt dhe po t’i referohem ndeshjes së parë ndaj tyre, mund të them se ne kemi mundur veten. Pa diskutim që në Minsk zhvilluam ndeshjen tonë më të dobët dhe nuk është se kundërshtari pati ndonjë meritë të veçantë. Megjithatë, ajo ndeshje na ka vlejtur si një mësim i mirë dhe tani shpresojmë që gabimet t’i korrigjojmë. Këtë herë luajmë në shtëpi dhe për ne është një nga ndeshjet më të rëndësishme, që duhet ta fitojmë patjetër. Nëse ne japim maksimumin tonë, jam i bindur që do ta kalojmë me sukses këtë sfidë. Nuk duhet ta shikojmë si hakmarrje këtë ndeshje. Thjesht na duhet patjetër fitorja, për të bërë një hap të madh. Tri pikë ndaj Bjellorusisë mund të ndryshojnë tërësisht fytyrën e skuadrës tonë, duke na dhënë shpresa për një renditje të mirë,”- ka thënë Bulku.











