Bulevardi,Basha:Më 9 mars prezantohen projektet

Jan 27, 2012 | 17:35

Kreu i Bashkisë së Tiranës gjatë një takimi me organizatën  “Biznes Albania” njoftoi se më 9 mars, 7 nga  20 arkitektë me të njohur në botë do të paraqesin projektet e tyre për bulevardin e ri të Tiranës para një jurie nderkombëtare.

“Më 9 mars, 7 nga 20 arkitektët më të famshëm të botës do të paraqesin projektet e tyre, para një jurie ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë ne do të kemi një hap më afër, me përzgjedhjen e fituesit, nisjes së punës për ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm zhvillimi për qytetin e Tiranës, sepse përtej vlerës monumentale, urbanistike, ambientale, estetike, qytetare është një aks i fuqishëm i zhvillimit urban të Tiranës, i zhvillimit ekonomik të Tiranës”, tha Basha.

Basha tha se biznesi dhe qytetarët do të jenë pjesë jo vetëm e konsultimit por edhe e vendimarrjes së planit urbanisitik të Tiranës, ndërsa vlerësoi si një nga problemete më shqetësues çështjen e hipotekimeve, e cila sipas Bashës është çështje drejtësie dhe “ kapital jo i pakët që llogaritet nga ekspertët e pavarur deri në 700 milionë euro, edhe ky injeksion kapitali do të përkthehet në punësim të qytetarëve të Tiranës, ndaj edhe Bashkia ditë e natë do të punojë që kjo të përfundojë sa më parë dhe asnjë objekt me leje nga Bashkia e Tiranës nuk do të mbetet pa hipotekuar, sado e vështirë të jetë situata, edhe sikur të na duhet t’i kërkojmë qeverisjes qendrore, të bëjë ndërhyrje në legjislacionin kombëtar dhe kjo të përfundojë doemos brenda 2012”.

Në këtë takim anëtarët e “Biznes Albania” kanë prezantuar kërkesat dhe sygjerimet e tyre përpara me qëllim përmirësimin e klimës dhe lehtësimin e kushteve për bizneset në Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura