Bujqësia dhe Shqipëria

Jul 12, 2025 | 8:37

NGA PROF.DR. EDMOND PANARITI edmond panariti

Mbjellja e vendit me biznes të vogël bujqësor dhe blegtoral familjar, fushë, kodër pa taksa dhe tatime për të paktën tri vite… është e vetmja rrugë për ta mbajtur në këmbë bujqësinë dhe të populluar Shqipërinë. Sidomos në pjesën kodrinore dhe malore të saj, që është shumica e territorit të saj. Për këtë duhet bonus 10 mijë euro për çdo sipërmarrës që hap biznes prodhues bujqësor në fushë, kodër dhe mal dhe që punëson nga zona përreth.

Përkrahje për çdo stallë, stan, pemishte, park bletësh, rezervat trofte të ngritur. Përkrahje me para të dhuruara, financim me grante dhe jo kredi skllavëruese. Ashtu siç e mban në këmbë bujqësinë edhe Bashkimi Evropian, me para të dhuruara dhe jo të kredituara. Është e vetmja rrugë për të ruajtur prodhimin kombëtar dhe markën shqiptare. Është e vetmja rrugë për të ndalur kolonizimin globalist të vendit.

Të orientuar vetëm drejt tregjeve të mëdha dhe me shumë peshkaqenë përreth, rrezikojmë të na shtypin më lehtë. Ndërsa brenda, me një martesë të kopsitur mirë të bujqësisë me turizmin detar, kodrinor dhe malor, mbijetojmë, rezistojmë dhe fitojmë. Plus që është e vetmja rrugë për të mbajtur dhe ruajtur Shqipërinë të banuar dhe të gjallë. Por kjo kërkon ta rikthesh vendin në traditën e tij historike, të natyrshme të prodhimit dhe të jetesës që na ka siguruar mbijetesën si komb në mijëvjeçare.

Po t’i shtosh edhe dekurajimin e kujdesshëm të importeve bujqësore, me anë të barrierave tarifore dhe jotarifore në favor të prodhimit kombëtar me qeverisje patriote… e mban bujqësinë, e mban Shqipërinë.

*Autori, ish-ministër i Bujqësisë

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura