Në Kosovë u bë sot ndërrimi i komandantëve të KFOR-it. Gjenerali gjerman Erhard Bühler, largohet pas një viti për t’ia lëshuar këtë vend gjeneralit tjetër gjerman Erhrad Drews. Ndërrimi i komandës bëhet në periudhën e ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.
Komandanti i deritashëm i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhad Bühler, i cili nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u nderua me çmimin për “kontrubutin special për paqe siguri dhe stabilitet në Kosovë”, tha se veriu i Kosovës akoma mbetet një sfidë e madhe. “Në këtë periudhë jeta përtej lumit Ibër nuk ka qenë e mirë. Shumica e qytetarëve të asaj pjese mbeten peng e disa personave dhe grupeve që kanë pasur interes gjithmonë që ta ndajnë këtë pjesë nga Kosova”, tha Bühler.
Ai theksoi se KFOR-i do të mbetet i angazhuar që në këtë pjesë të Kosovës të mbizotërojë një ambient i qetë dhe i sigurt dhe që njërëzit atje të jetojnë një jetë normale. Aktualisht misioni paqeruajtës ndërkombëtar i NATO-s në Kosovë, ka afro 5.500 ushtarë. Për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, reduktimi i këtyre trupave i paraparë më herët nuk do të ndodhë të pakët deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.(DW)











