Bufi në zyrën e Enverit: Mehmet Shehu është puçist si Beria

Dec 26, 2011 | 10:45

ISH-KRYEMINISTRI MEHMET SHEHU ME ENVER DHE NEXHMIJE HOXHEN

Takimi i parë në KQ pas mbërritjes së letrës nga Moska.

“Me forcën dhe mjetet e Policisë Sekrete kërkon të likuidojë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë”

Në përballjen e parë me Enver Hoxhën në zyrën e tij në KQ, Sokrat Bufi u mundua të argumentojë me qetësi tërësinë e akuzave që i kishte shkruar në letrën e adresuar nga Moska. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe dy ditë më parë në takimin me Manush Myftiun, ish-sekretarin e KQ për Ideologjinë. Fund e krye denoncimi i Bufit fokusohej te emri i ministrit të Brendshëm, që njëherazi ishte dhe anëtar i Byrosë Politike. “Mehmet Shehu është karrierist e provokator si Beria i Bashkimit Sovjetik dhe punon të likuidojë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë”. E tërë ligjërata e tij rrekej të sillte fakte e dëshmi për qëndrimin antiparti të Shehut. Duke veçuar disa syresh, Bufi përmendte praktikat e Shehut për të vënë organet e Sigurimit mbi ato të Partisë. “Ka arritur deri aty, shpjegohej ai, duke iu referuar kohës kur kryente detyrën e sekretarit të Parë të Fierit, sa çdo procedurë për t’u punësuar në një ndërmarrje, duhej patjetër të miratohej në Degën e Brendshme”. Rast të paprecedentë vlerësonte Bufi braktisjen që Shehu i kishte bërë një takimi me veteranë të Mallakastrës, të cilët kërkonin ndërhyrjen e tij për trajtimin sipas meritave në luftë. Fakte të tjera që penalizonin ministrin e Brendshëm i përkisnin periudhës kur letërshkruesi studionte në Moskë. Aty kishte konstatuar se pjesa më e madhe e dokumenteve të Partisë me emrin e Enver Hoxhës që u shkonin për diskutim, nuk ishin të tijat, por materiale të përgatitura nga Mehmet Shehu. Sakaq, një kryeartikull i gazetës “Zëri i Popullit” për ditëlindjen e komandantit, shkruar nga Mehmet Shehu, sipas Bufit, mohonte rolin e Enverit në themelimin e Partisë dhe e trajtonte atë si një komunist të thjeshtë. Në fund të kronologjisë së provave të tilla, denoncuesi vinte në vëmendje të komandantit se për to kishte diskutuar në Moskë me Ramiz Alinë, Piro Kondin e Liri Belishovën, por asnjëherë nuk kishte gjetur mirëkuptimin e tyre.  Pavarësisht shpërfilljes me të cilën Hoxha duket se e ndjek  ligjëratën e Bufit, mënyra si reagon aty për aty nuk mund ta fshehë deri në fund paranojën torturuese të liderit të gjithëpushtetshëm, i cili pas vdekjes së Stalinit ka humbur qetësinë e zakonshme dhe bashkëjeton me makthin e dyshimeve vrastare. Gjithsesi, pozicioni ia do të qëndrojë autoritar e t’i kundërvihet Bufit, madje edhe ta kërcënojë se me të tilla sjellje çonte ujin në mullirin e armikut për të përçarë partinë. Po si rrodhi deri në fund debati midis tyre atë mbrëmje tetori të vitit ‘53…

DOKUMENTI
ENVER HOXHA:(Mbasi e përshëndet, i drejtohet Sokratit) Ç’ngjet kështu me ty more shoku Sokrat, ç’ke ti?
SOKRAT BUFI: Ato që kam ia kam thënë Partisë.
ENVER HOXHA: Po si janë këto, se na duken  të çuditshme.
SOKRAT BUFI: Mua më ka bërë përshtypje të madhe kryeartikulli i shokut Mehmet mbi ditëlindjen tuaj.
ENVER HOXHA: Po pse çfarë ka atje?
SOKRAT BUFI: Ai duhej të fliste për rolin tuaj në tërë veprimtarinë e Partisë.
ENVER HOXHA: Shoku Mehmet ka thënë se unë kam qenë një nga shokët që kam ndihmuar në themelimin e Partisë, për organizimin e luftës dhe rindërtimin e vendit.
SOKRAT BUFI: Ju nuk keni qenë thjesht njëri ndër ata që themeluat e udhëhoqët partinë.
ENVER HOXHA: Aty nuk kemi vënë re ndonjë tendencë që Mehmeti të më nënvlerësojë mua dhe t’ia hipi Partisë mbi kokë.
SOKRAT BUFI: Atje nuk del açik që t’ia hipi Partisë…
ENVER HOXHA: Artikulli është në rregull, se është i gabuar miti i udhëheqësit…
SOKRAT BUFI: Kur kemi qenë një herë në raport para Byrosë Politike, u shtrua çështja e trajtimit të patriotëve (veteranëve të Luftës-shënim red.) Atë ditë njw grup i tyre erdhi nga Mallakastra direkt te Mehmet Shehu, por ai u ngrit nga karriklla me nervozitet dhe doli jashtë
ENVER HOXHA: Po në mbledhje ne lodhemi, dalim ndonjë minutë jashtë, pimë edhe ndonjë kafe. Mirë bënë ata njerëz që vanë te Mehmeti, pse të bëhej nervoz ai?
SOKRAT BUFI: Çështja e trajtimit të patriotëve na ishte ngritur në Fier përpara se të vinim këtu në Tiranë.
ENVER HOXHA: Është e drejtë që patriotët nuk janë trajtuar mirë.   Ti erdhe këtu e ngrite këtë çështje, Mehmeti shkoi piu ujë dhe u kthye, çfarë të keqe ka këtu?
SOKRAT BUFI: Unë kisha krijuar këto dyshime…
ENVER HOXHA: Po këto janë dyshime të sëmura. Apo si ato të tjerat kur thua se Mehmeti nuk ka folur mirë për metodat sovjetike, kur ka thënë se ato duhet me i adaptue sipas kushteve. Po si thua ti, si kuajt e Arabisë do të ecim ne?! Pse nuk i the aty shokut Mehmet nuk u shprehe mirë në këtë çështje, po vjen e na thua se është provokator?
SOKRAT BUFI: Unë thashë provokator për frazën që shprehu se BRSS është një kolkoz, që nga njëra anë ndërton komunizmin dhe në tjetrën tërheq demokracitë popullore. Në këtë drejtim na akuzojnë armiqtë e jashtëm, kështu duan ata t’i interpretojnë lidhjet e BRSS me demokracitë popullore, sikur BRSS na tërheq ne me forcë në socializëm…
ENVER HOXHA: Mund të thoshje se kjo frazë duhej bërë ndryshe. Po të nisesh nga kjo e të thuash se Mehmeti është provokator, kjo nuk qëndron. Provokator na i bën. Kundra metodave sovjetike po, na i bën pro kulakëve, kërkon të errësojë rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë etj. Atëherë ç’del nga gjithë kjo?…
SOKRAT BUFI: Kështu më ka qortuar edhe Liria (Belishova-shënim red.) në Moskë, por unë i thashë se i kam këto dyshime.
ENVER HOXHA: Pse i ke këto dyshime. Tek ty ka diçka që vuan.
SOKRAT BUFI: Gjithçka që kam pasur ia kam thënë Partisë.
ENVER HOXHA: Ne nuk mund t’i kuptojmë nga ana tonë këto dyshime. Ti arrin deri aty sa të pyesësh ç’është bërë me shokun Enver dhe dyshon se materialet e Partisë që u vinin në Moskë nuk i kishte shkruar komandanti, por Ramizi me Lirinë…
SOKRAT BUFI: Këto kanë ndodhur se në Moskë ne nuk kemi bërë jetë të shëndoshë partie, kërkonim sqarime dhe nuk na jepeshin.
ENVER HOXHA: Të tëra sqarimet që ke kërkuar shokët t’i kanë dhënë. Ti ngul këmbë kur thua se këtë dokument nuk e ka bërë Sekretari i Përgjithshëm, atëherë  ç’kërkon të të thonë tjetër?
SOKRAT BUFI: Kjo është e fundit, për çështje të tjera nuk na jepnin shpjegime. Vdes Gotvaldi dhe sekretarja e organizatës (Liri Belishova-shënim red.)nuk vjen në mbledhje.
ENVER HOXHA: Atëherë kritikoje. Pse krijon situata të sëmura. Një diçka të tillë thua edhe për Xhakon (Ramadan Xhangolli, ish-student i Shkollës së Partisë në Moskë)…
SOKRAT BUFI: Kur ishte rasti i arrestimit të doktorëve sovjetikë (mjekëve të klinikës speciale-shënim) kishte tek ai lëvizje jo të zakonshme…
ENVER HOXHA: Të tërëve na bëri përshtypje të madhe arrestimi i tyre, se thamë shpëtoi udhëheqja e Partisë Bolshevike.
SOKRAT BUFI: Xhakua tha që ky dhe ky paraqiten mirë.
ENVER HOXHA: Tërë këta doktorë më kishin vizituar edhe mua dhe kur u përhap lajmi thashë si mund të ndodhë një gjë e tillë? Pastaj kur partia vërtetoi se ata nuk ishin armiq, prapë patëm besim se ata nuk janë armiq. Atëherë pse të thuash se Xhakua është njeri i dyshimtë?

Reagimi i Bufit për vendimin e Byrosë Politike
“Tuk Jakova është goditur padrejtësisht”

“Goditja e Tuk Jakovës është e padrejtë. Mënyra si u ndëshkua për mua është një kurth i rrezikshëm” I vëmendshëm ndaj qëndrimit të Bufit lidhur me masën e Byrosë Politike për ish-komisarin e Brigadës së Parë, Enveri mundohet të hetojë arsyet e pathëna të  denoncimit të pazakontë. Kur e sheh se tjetri është këmbëngulës deri në fund, merr pozitën e qortuesit dhe aty për aty fillon të artikulojë një monolog plot parime: “Në kokën tënde shoku Sokrat ka gjëra të paqarta. I qan hallin shokut Tuk? Ç’ke me Tukun ti? Mendon se nuk kemi bërë mirë që e ndëshkuam? Ajo masë ishte plotësisht e drejtë. Bëmë shumë mirë që qëndruam ndaj tij, se e shëruam Tukun. Kishte nevojë për një masë të tillë ai. Po të bënim si thua ti, Tuku nuk do të ishte shëruar dhe Partia do të kishte një humbje të jashtëzakonshme”. Një moment Bufi hesht, pastaj i kthehet opsionit të tij, duke e lidhur goditjen e Jakovës me një prapaskenë të fshehtë. Ende pa mbaruar mirë argumentin e fundit, Enveri që e kupton përqasjen e tij, nuk nguron t’i kujtojë standardin e dyfishtë që Bufi përdor për udhëheqësit e Partisë. “Për Tukun që e kishte bërë hak na thua se e kemi goditur kot, ndërkohë që për Mehmetin ke dhënë alarmin se duhet ndëshkuar si Beria i Moskës”. Meraku i Enverit me sa duket në vijim të bisedës nuk ka të bëjë me dhimbjen e Bufit për Jakovën. Nga mënyra si rikthehet te denoncimi për Mehmet Shehun, Hoxha këmbëngul të mësojë diçka më tepër për paudhësitë e këtij të fundit. Atëherë kur e shikon se kumtimi i tjetrit nuk ofron gjë veç një lloj përçartje, vendos t’i tregojë vendin, duke i apeluar të reflektojë, ndryshe Partia do ta hedhë në kosh të plehrave…

Belishova: Bufi ishte në krizë nervore

“Gjatë studimeve në Moskë, një periudhë humbi vetëpërmbajtjen”

Liri Belishova

Liri Belishova, ish-anëtarja e Byrosë Politike dhe një nga figurat historike të Partisë Komuniste, që pas divorcit me Bashkimin Sovjetik iu nënshtrua një kalvari të gjatë persekutimi, është njohur me Sokrat Bufin gjatë studimeve në Shkollën e Partisë në Moskë në fillimin e viteve ‘50. Ajo nuk ka qenë e pranishme në diskutimet maratonë të lidershipit të Tiranës për letrën e Bufit, por asokohe është tronditur shumë nga sjellja e tij e çuditshme mes studentëve shqiptarë të akademisë së Moskës. “Tjetërsimi i Bufit ishte i menjëhershëm”, kujton Belishova, duke iu kthyer momenteve kur është befasuar nga reagimet shpërthyese të tij për materialet e Kongresit të Dytë të Partisë. Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, ish-sekretarja e KQ tregon rrethanat në të cilat Bufi adresoi nga Moska letrën denoncuese për Mehmet Shehun dhe përjetimet nga çastet kur ai humbi vetëpërmbajtjen…

Rrëfimi i Belishovës
Sokrat Bufi kishte ardhur me studime në Moskë, pas një përvoje të spikatur si kuadër partie. Më herët kishte qenë në radhët e ushtrisë antifashiste, kishte vazhduar karrierën si oficer, e së fundi ishte zgjedhur si drejtues për organet e Partisë. Kur erdhi në Moskë, kryente detyrën e sekretarit të Parë të Fierit. Në shkollë bënim jetën e partisë bashkë. Mblidheshim çdo muaj, sipas statutit. Ishim pesë veta, pesë anëtarë partie, unë, Ramiz Alia, Piro Kondi, Ramadan Xhangolli dhe Bufi. Diskutonim çështjet sipas orientimeve që na vinin nga Tirana, por edhe ato të procesit mësimor. Sokrati shquhej për vetëpërmbajtje dhe qetësi në debat. Po kështu, edhe në komunikimin me të tjerët. E vërteta është se mënyra se si sillej të impononte ta dëgjoje me vëmendje.  Sidoqoftë, pas një farë kohe ky profil i tij u tjetërsua, madje krejt papritur. I pari që më sinjalizoi për këtë si sekretare e organizatës ishte Ramiz Alia. Një ditë më thirri dhe ashtu i shqetësuar siç ishte më tha se Sokrati nuk ndiehej mirë. “Çfarë ka?”, e pyeta. “Nuk di si ta shpjegoj, -shtoi Alia, -më duket i tronditur, i sëmurë”. “Ndoshta nga lodhja, nga meraku për familjen”, u mundova ta qetësoj. “Nuk besoj”, ma ktheu Ramizi dhe më shpjegoi diçka që kishte të bënte me një reagim të pakontrolluar të Bufit. Aty për aty shtanga dhe nuk dija si të bëja. Ramë dakord me Ramizin ta takonim e të flisnim nga afër me të. Ashtu bëmë. Gjetëm një moment të volitshëm dhe u ulëm shtruar. Akoma pa filluar bisedën, Sokrati ia nisi me një ligjëratë të çuditshme. “Kam konstatuar një shkelje të rëndë, ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme në Tiranë”, u shpreh ai gati i shpërfytyruar dhe filloi të shpjegojë atë që e mundonte. Ato ditë kishim diskutuar në organizatën e Partisë mbi materialet e Kongresit të Dytë, duke u përqendruar në raportin e Enver Hoxhës. Foli për to Ramizi, Piro Kondi. Fola unë. Sokrati nuk mori pjesë në diskutime, por duke dalë nga mbledhja diçka kishte biseduar kalimthi me njërin nga shokët për raportin e Enverit. “Nuk është dokument origjinal, dikush ka manipuluar fjalën e komandantit. Shifrat në të nuk janë të vërteta”, ishte shprehur ai. Të njëjtën gjë shfaqi edhe me mua e Ramizin, madje me një lloj tronditjeje që i dallohej lehtas. U përpoqëm ta sqarojmë se e kishte gabim, por ishte e pamundur t’i ndërronim mendjen. “Jo, jo, këmbëngulte ai, nuk është raporti i Komandantit ky, diçka ka ndodhur me shokun Enver”. Çdo ndërhyrje për ta kthjelluar, rezultoi e kotë. Pas disa çasteve u ndamë, duke marrë me vete keqardhjen për shëndetin e tij. Lajmëruam për këtë ambasadorin. Bashkë me Ramizin dhe Piron (të dy ish-anëtarë të KQ) i bëmë një radiogram Enver Hoxhës, ku e njoftonim se Sokrat Bufi vuante nga një sëmundje nervore. Nuk më kujtohet reagimi i tyre, pasi ato ditë u nisëm me pushime në Tiranë. Kur u kthyem në Moskë, Sokrati nuk erdhi. Menduam se kishte filluar ndonjë trajtim mjekësor, por në fakt diçka tjetër kishte ndodhur me të. I kryqëzuar për letrën e famshme ku denonconte Mehmet Shehun, Bufi i gjorë kishte filluar të jepte llogari sa nga njëra mbledhje te tjetra. Që nga komandanti e deri te partiaku më i thjeshtë, ai tanimë nuk ishte një i sëmurë psikik, por një provokator që kërkonte të përçante udhëheqjen e lartë të Partisë. Sa ishim në shkollë nuk morëm ndonjë lajm për fatin e Bufit. Kur mbaruam studimet dhe u kthyem mësuam se kishte ndërruar jetë. Më tej, nuk mbaj mënd ndonjë detaj rreth tij. Për vite me radhë emri i Bufit nuk u përmend kurrë, as për mirë e as për keq. Pas shumë e shumë vitesh, historinë e tij në një plan krejt tjetër do ta risillte në vëmendje të opinionit Enveri.
Teksa shkruante tablonë sinoptike të Mehmet Shehut, rasti Bufi, letra e tij e vitit 1953, do t’i duhej si një tjetër argument i fortë për të vërtetuar tradhtinë e ish-kryeministrit dhe përpjekjet e hershme të tij për eliminimin e Sekretarit të Parë të Partisë(!) Absurdi i Hoxhës arriti deri këtu…

vijon…

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura