Bruksel, nisi Samiti nga ku varet fati i eurozonës

Dec 9, 2011 | 13:50

Mbase dramatizimi më i madh i situatës u përdor për të arritur synimin, apo mbase gjendja është vërtet kaq kritike, sa mbijetesa reale e eurozonës varet nga vendimet e Samitit të Brukselit që përfundon sot. Dje nisi Samiti më i rëndësishëm vjetor i liderëve të Bashkimit Europian, në të cilin pritet të vendoset mbi paketën e ndryshimeve të forta të propozuara nga Merkel dhe Sarkozi, e cila kërkon edhe ndryshimin e rregullores bazë të BE-së. “Duhet të restaurojmë kredibilitetin e monedhës së përbashkët, dhe nëse është e nevojshme, duke ndryshuar rregullat qeverisëse të bllokut”, tha dje Kancelarja gjermane Anxhela Merkel. “Euro e ka humbur kredibilitetin dhe ai duhet rivendosur”, tha Merkel në darkën para samitit. Ajo bëri thirrje sërish për ndryshimin  traktatit për të lejuar bashkëpunim më të ngushtë ekonomik mes vendeve të eurozonës dhe tha se ishte njëtrajtshëm e rëndësishme për 10 vendet e tjera anëtare të BE-së që nuk e përdorin euron. “17 vendet e euros duhet ta bëjnë këtë, por është njëkohësisht e vlefshme edhe për variantin 17 plus vende të tjera”, tha Merkel. “Komisioni Europian duhet të ketë më shumë përgjegjësi, Gjykata Europiane e Drejtësisë duhet të ketë më shumë përgjegjësi. Ne duhet ta bëjmë të qartë se në të ardhmen ne do të fokusohemi në stabilitetin dhe rritjen sërish, që do ta bëjë më të qëndrueshëm unionin”, shtoi ajo. Ndërsa Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se nuk kishin shumë kohë. Ai theksoi se vendet e Europës nuk mund t’ia lejonin vetes luksin e shpërbërjes së euros, dhe ky rrezik ishte më i madh se kurrë, nëse nuk ndryshoheshin rregullat. Gjermania dhe Franca përdorën edhe Kongresin e Partive Popullore Europiane në Marsejë për të lobuar mbi planin e tyre për eurozonën. “Rreziku i shpërbërjes së euros nuk ka qenë kurrë kaq i madh për Europën”, tha Sarkozi. Ai e cilësoi këtë si shansin e fundit të Europës.

Barroso
Presidenti i KE, Hose Manuel Barroso, mbi kërkesën për ndryshimin e traktateve të BE-së tha se “është thelbësore të garantojmë në një rishikim të traktatit rolin e Komisionit Europian, të BQE-së, Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe PE-së. Një Europë më e fortë, është një Europë që ka nevojë për institucione më të forta”.

Ulet interesi
Dje u mbajt takimi i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Europianë, në të cilin u morën vendime të rëndësishme. Presidenti i BQE-së, Mario Dragi, shpalli dje në Frankfurt vendimet e reja që ka marrë Bordi Drejtues mbi rigjallërimin e bankave dhe ekonomisë. Ai tha se është vendosur që norma e interesit do të ulet me 0.25 për qind, duke shënuar interesin më të ulët rekord dhe se bankat mund të marrin tashmë hua pa limit në një afat trevjeçar.

© Panorama.al

Te lidhura