Britania tërhiqet, ministrat e BE pa fondin e duhur për FMN

Dec 21, 2011 | 12:49
Mario Dragi, kreu i BQE-së, gjatë fjalimit të tij në Bruksel

Ministrat e Financave të Bashkimit Europian kanë dështuar në mbledhjen e fondit të shpresuar për FMN-në, prej 200 miliardë eurosh, pasi Britania nuk pranoi kësaj radhe që të japë kontribute shtesë. Fondet plus të Europës për të përballuar planin antikrizë që duhej t’i dorëzoheshin FMN-së, kanë arritur deri në vlerën 150 miliardë eurove, pasi BQE do ta zgjerojë mbështetjen e saj për rajonin e monedhës së përbashkët. Katër vende që nuk e përdorin euron janë angazhuar të marrin pjesë në fondin që do t’i dorëzohet FMN-së, ndërsa Britania ka refuzuar ta bëjë këtë, duke u hequr kështu mundësinë zyrtarëve që të arrinin shumën që kishin synuar, 200 miliardë euro, e cila do të përdoret për të lehtësuar krizën e borxhit në disa nga vendet e eurozonës. Mbretëria e Bashkuar do ta “përkufizojë kontributin e saj” në fillim të vitit 2012, kanë deklaruar ministrat e Financave të eurozonës pas një konference. Kalimi i këtyre fondeve në FMN dhe rritja e blerjes së bonove nga Banka Qendrore Europiane tregon se Europa po mbështetet edhe në investimin e parave dhe jo vetëm në shkurtimet e ashpra buxhetore për të fituar besimin e humbur në tregjet ndërkombëtare për monedhën euro, e cila u godit gjatë dy viteve të fundit që pas prekjes së Greqisë nga kriza e borxhit kombëtar. Investitorët në tregje kanë blerë dje monedhën britanike, sterlinën, duke e çuar vlerën e saj në maja krahasuar me monedhën euro dhe dollarin. Kjo pasi Britania refuzoi të marrë pjesë në fondin e ri të sigurimit të eurozonës, një lëvizje që sipas ekspertëve të tregjeve, e bën këtë monedhë më të sigurt. Sa për euron, kreu i BQE-së, Dragi, paralajmëroi për rreziqe të mëdha në eurozonë. Banka Qendrore Europiane publikoi paralajmërime të errëta, kryesisht për tremujorin e parë të vitit 2012. BQE paraqiti në Frankfurt analizën e saj të stabilitetit për 17 shtetet anëtare të eurozonës, ku mes të tjerash thuhet se presioni ndaj sistemeve financiare, tregjeve dhe bankave është më i madh se ai pas falimentimit të “Lehmann”, në vitin 2008, nga ku nisi faza e recesionit në botë. Kështu, BQE paralajmëron se Europa vitin e ardhshëm mund të bjerë në recesion ekonomik, ku rrezik më lartë do të kenë vendet e eurozonës. Kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, tha në Parlamentin Europian në Bruksel se ai nuk e konsideron të mundur shpërbërjen e euros. “Euro është e pakthyeshme”, tha Dragi. Ministrat e Financave të BE-së ranë dakord që ta garantojnë funksionimin e Fondit të përhershëm Europian të Shpëtimit, ESM, brenda gjashtë muajve, duke e finalizuar marrëveshjen në mars.

Letra e biznesmenëve
Njëzet figura qendrore të biznesit në Britaninë e Madhe i kanë shkruar një letër të hapur qeverisë, duke i kërkuar të vazhdojë të angazhohet me BE-në, me paralajmërimin se deri në tre milionë britanikë rrezikojnë punën nëse euro shkatërrohet. Sër Richard Branson, kryetar i “Virgin”, Sër Martin Sorrell, shef ekzekutiv i “WPP”, dhe Sër Mike Rake, kryetar i “BT”, janë disa prej figurave të larta që kanë nënshkruar këtë letër, të shqetësuar nga qëndrimet e fundit të qeverisë britanike.

© Panorama.al

Te lidhura