Librezat e vjetra shëndetësore do të zëvendësohen me kartela elektronike për pacientët. Aktualisht ka nisur krijimi i skedave për të sëmurët. Në to do të përfshihet numri i vizitave tek mjeku i familjes, sëmundshmëria kronike, trajtimi në vazhdimësi dhe çdo informacion tjetër që u nevojitet mjekëve të familjes, por edhe pacientëve. Nga sa sqarojnë specialistët e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, me përfundimin e kësaj faze Shqipëria do të ketë për herë të parë regjistrimin elektronik shëndetësor. Gjithçka pritet të përfundojë brenda këtij viti. Një risi tjetër që do të sjellë ky proces është zgjedhja e lirë e mjekëve të familjes. “Me krijimin e këtij regjistri do të mundësohet lëvizja e popullatës dhe zbatimi i parimit të zgjedhjes së lirë të mjekut të familjes. Kjo do të thotë se çdo mjek kudo që punon, mjafton të futet në sistem dhe do të ketë të gjithë informacionin për mbarëvajtjen e sëmundjeve dhe skemën e trajtimit të një pacienti. Në këtë mënyrë, ai mund ta ndjekë në vazhdimësi”, sqarojnë specialistët e ISKSH-së. Sipas tyre, qëllimi i krijimit të regjistrit elektronik është evidentimi i saktë i numrit të personave që mbulohen me shërbim shëndetësor në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor. Po kështu, në sajë të tij mundësohen të dhëna të sakta mbi sëmundshmërinë kronike të diagnostikuar. “Me regjistrin elektronik kemi një evidentim të saktë të personave rezident dhe jorezidentë, për të cilët paguhen realisht mjekët e familjes”, sqarojnë specialistët e ISKSH-së. Sipas tyre, krijimi i një data base elektronik me popullatën e regjistruar pranë çdo qendre shëndetësore do të ndihmojë ISKSH-në në planifikimin më të mirë të buxhetit përkatës dhe përmirësimin e skemës së pagesës për mjekët. Edhe për pacientët ky proces sjell një sërë lehtësirash, pasi informacioni do të jetë i detajuar. Nga të dhënat e fundit, janë regjistruar nga ana e mjekëve të familjes në të gjithë vendin mbi 3.9 milionë njerëz rezidentë dhe jorezidentë, bazuar në deklarimet e popullatës. Krijimi i sistemit të ri të kompjuterizuar të informacionit synon veç regjistrit elektronik, dixhitalizimin e plotë të informacionit shëndetësor, pajisjen e pacientëve me karta shëndetësore tip, por edhe shkrimin elektronik të recetave.
Recetat online
Nga sa kanë bërë me dije krerët e ISKSH-së, një projekt i rëndësishëm, i cili është në fazën finale, është dhe ai i hedhjes online të recetave nga vetë farmacitë, nëpërmjet programit të E-Farmaci. Ky projekt, sipas ISKSH-së mundësoi lidhjen në kohë të shpejtë të rreth 92% të të gjithë shërbimit farmaceutik të kontraktuar në të gjithë vendin, duke siguruar në ketë mënyrë informacion në kohe reale dhe të përditësuar në lidhje me aktivitetin e farmacive, me rimbursimin e medikamenteve të listës, duke realizuar në të njëjtën kohë kontrolle me eficiente, shpejtësi në vendimmarrje dhe transparencë me të gjerë në transaksionet financiare me këta ofrues. Po kështu, pritet të nisë projekti i ndërtimit dhe funksionimit të sistemit të integruar të informacionit të skemës sociale të sigurimeve shëndetësore. Me anë të tij do të mundësohet përshkrimi elektronik i recetave të rimbursueshme nga ofruesit e Kujdesit Shëndetësor Parësor. “Ky proces, në përfundim të tij, do të siguronte shpejtësi në shërbimin ndaj pacientëve, do të bënte të mundur shkurtimin e kohës së plotësimit të dokumentacioneve nga ofruesit dhe përdorimin e saj në favor të pacientëve, do të mundësonte eliminimin e gabimeve në përshkrim dhe dhënien e medikamenteve për pacientët, duke rritur në ketë mënyre dhe shkallën e sigurisë në përfitimin e shërbimeve”, sqarojnë specialistët.
3.9 milione
njerëz rezidentë dhe jorezidentë, janë regjistruar nga mjekët e familjes, bazuar në deklarimet e popullatës. Krijimi i sistemit të ri synon veç regjistrit elektronik, dhe pajisjen e pacientëve me karta shëndetësore tip











