Pavijoni i Neurokirurgjisë deri në fund të vitit do të ketë aparatura moderne, të cilat do të ndihmojnë në diagnostikimin e pacientëve. Kredia e butë austriake, që kap vlerën e 7 milionë e 100 mijë eurove, do t’i hapë rrugë fazës së dytë të projektit në departamentin e Neurokirurgjisë. “Investimi për godinën ishte 3.5 milionë dollarë, por që është i lidhur me këtë investim prej 7 milionë eurosh, i cili do t’i japë këtij shërbimi aparaturat më moderne të kohës, që do të bëjë të mundur përmirësimin e aksesit në një shërbim spitalor cilësisht më të mirë për popullatën në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi”, tha drejtori i QSUT, Saimir Ivziku. Sipas tij, me miratimin e kësaj marrëveshjeje dje në Parlament, do të bëhet e mundur pajisja e këtij departamenti që është një shërbim elitar për vendin me aparatura bashkëkohore, të cilat do të sigurojnë një shërbim cilësor spitalor të standardit europian. Për herë të parë në spitalet publike shqiptare, pacientët do të marrin një shërbim të këtyre standardeve me pajisje bashkëkohore të veçantë, siç është akseleratori linear që vjen për herë të parë në vendin tonë, i cili bën të mundur trajtimin e sëmundjeve tumorale me efikasitet dhe me efekte anësore minimale. Shefi i këtij pavijoni, Prof. Dr. Mentor Petrela, ka pohuar se deri në fund të vitit do të përfundojë blerja dhe instalimi i tyre. “Ky është një model amerikan, i cili është përdorur nga të gjitha spitalet dhe shërbimet e neurokirurgjisë. Edhe ne jemi duke përdorur këtë model, i cili u përshtatet sistemeve moderne shëndetësore”, ka nënvizuar Petrela. Sipas tij, sot QSUT ka vetëm një rezonancë manjetike, e cila përballon një fluks prej 25 pacientësh në ditë. Ndërkohë, me ardhjen e aparaturave të reja do të ofrohet mundësia e një diagnostikimi më të shpejtë.











