
Ambasadori i BE me kreun e “BiznesAlbania”: Përafrim të legjislacionit
Në vazhdën e takimeve që BiznesAlbania ka zhvilluar me personalitete të rëndësishme, vjen edhe takimi i fundit që presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, pati dy ditë më parë me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Në qendër të këtij takimi ka qenë diskutimi i problematikave kryesore që shqetësojnë biznesin vendës, si dhe përpjekjet që po bën BiznesAlbania për të qenë një faktor i rëndësishëm dhe ndikues në vendimmarrje. Bregasi gjatë takimit bëri një përshkrim të shoqatës “BiznesAlbania”, si dhe përpjekjet që kjo e fundit po bën për të arritur një komunikim të hapur mes institucioneve dhe biznesit në funksion të bashkëpunimit. Një ndër pikat kyçe që presidenti i BiznesAlbania vlerësoi si të rëndësishme është informimi i shoqatave mbi axhendën e Bashkimit Europian dhe të qeverisë shqiptare për përafrimin që do t’i bëhet legjislacionit vendës me atë europian. Kjo në fakt, sipas Bregasit, do të ndihmojë që paketat ligjore që ndryshohen të kenë edhe “oponencën” e biznesit, në mënyrë që të arrihet ajo që ndikon pozitivisht te zhvillimi i këtij të fundit. Ligji për prokurimet duket se do të jetë edhe “sfida” e radhës për BiznesAlbania, që synon të jetë aktiv në përmirësimet që mund t’i bëhen ligjit për prokurimet elektronike, pas problemeve që e kanë shoqëruar atë. Duket se të qenit pjesëmarrës në vendimmarrje për BiznesAlbania do të jetë përmes rekomandimeve që synojnë përmirësimin e procedurave. Takimi Bregasi-Sequi i ditës së premte u mbyll edhe me një ftesë për ambasadorin e BE-së në Tiranë, i cili do të marrë pjesë në konferencën e muajit të ardhshëm të BiznesAlbania dhe Biznes Europa. Në këtë konferencë pritet që të diskutohet zhvillimi ekono-mik i SME-ve në këtë situatë kur kriza është ende prezente. Nga ana tjetër, presidenti i BiznesAlbania dhe ambasadori ranë dakord për të konkretizuar një program të veçantë mes palëve, në mënyrë që të rritet edhe bashkëpunimi institucional.











