
Nënkryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka replikuar në distancë me sekretarin Organizativ, Blendi Klosin dhe sekretarin për Burime Njerëzore në PS, Armando Subashin, të cilët kanë theksuar ditë më parë se vendimet e strukturave nuk duhen diskutuar, por zbatuar. Deputeti i PS-së, në faqen e “Facebook” e cilësoi listën e lexuar në Kryesinë e Partisë Socialiste si joproduktive dhe jo të barabartë. Edhe pse ka refuzuar të flasë për emra konkretë, Braçe deklaroi se deputetët që kanë dalë kundër tij në intervista në media, janë të vetmit që nuk e kanë ndryshuar zonën e tyre elektorale. Nënkryetari i Grupit të PS-së shprehu bindjen se në ditët në vijim do të ketë të tjerë anëtarë të Kryesisë që do të flasin kundër tij në media. “Ata janë dy ndër disa anëtarë të Kryesisë që nuk e kanë ndërruar qarkun e tyre, pra janë deleguar në atë qark ku kanë edhe zonat e tyre elektorale. Ata janë shembulli përse ajo listë e lexuar, vetëm lexuar në Kryesi, nuk është parimore, por më shumë është e padrejtë, e pabarabartë dhe joproduktive!”, deklaroi dje deputeti i Beratit. Nënkryetari i Grupit të Partisë Socialiste ritheksoi dje se do të vazhdojë të qëndrojë në qarkun e Beratit deri në fund të mandatit të tij. Braçe ka shkuar më tej duke thënë se është i gatshëm që të sakrifikojë postin e tij në Kryesinë e Partisë Socialiste, për t’i qëndruar besnik elektoratit të qarkut të Beratit. Braçe ka thumbuar sekretarët e PS-së, duke thënë se gjatë viteve të eksperiencës në politikë betejat i ka fituar me forcat e tij dhe jo nga partia. “Nuk jam fare i interesuar se në cilën zonë elektorale do të jem në 2013-n! Kjo nuk ka rëndësi! Jam i interesuar të respektoj njerëzit që më kanë votuar, socialistët që më kanë mbështetur, tani! Jo kur ka zgjedhje! Ndaj nuk i braktis që të mbaj vendin në Kryesi! Jam edukuar ndryshe: Të shërbej për partinë, jo partia të fitojë për mua!”, pohoi deputeti i PS-së.











