BQE, hua rekord për bankat, Italia zyrtarisht në recesion

Dec 22, 2011 | 11:38
Presidenti i BQE-së, Mario Dragi

Banka Qendrore Europiane ka liruar marrjen e kreditit nga bankat që janë në telashe për një afat trevjeçar, duke u lejuar mbi 500 bankave të marrin një shifër rekord prej 489 miliardë eurosh hua. Kjo lëvizje ishte nxjerrja më e madhe e kreditit nga Banka Qendrore Europiane në 13 vjet histori të monedhës së përbashkët. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është që kriza e borxhit në Europë të mos shkatërrojë edhe bizneset, pasi ngërçi i kreditit për ta mund të shkaktojë një recesion që do të përfshijë të gjithë kontinentin dhe do ta rëndojë situatën ekonomike për 17 vendet e eurozonës edhe më shumë. Huat e BQE-së për 523 banka kanë kaluar 442 miliardë eurot në huat njëvjeçare nga qershori 2009, kur sistemi financiar global pësoi tronditje nga falimentimi i bankës investuese “Lehman Brothers” në SHBA. Oferta e së mërkurës u lejon bankave të japin likuiditet të lirë, dhe ato nuk duhet të shqetësohen për të kthyer borxhin deri në vitin 2015. Ky ishte i pari nga dy ofertat trevjeçare të kreditit që ka planifikuar BQE-ja. Por me gjitha masat anti-recesion të BQE-së, Italia ka hyrë dje në recesion. Italia, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, ka pësuar një rënie me 0,2 për qind në tre muajt deri në fund të shtatorit. Të dhënat e Institutit Shtetëror të Statistikave treguan se ekonomia italiane është në tkurrje për herë të parë që prej vitit 2009 dhe recesioni pritet të thellohet për vitin e ardhshëm me parashikimet për një GDP 0,4 për qind më të ulët për 2012-n. Por mbase ekziston edhe një shpresë, sipas një raporti të “Reuters”: bankat në Itali ishin ato që kanë marrë sasinë më të madhe të kreditit nga BQE në programin e saj të likuiditetit. Vetëm bankat italiane, shkruan Reuters, kanë marrë 116 miliardë euro nga sasia prej 489 miliardësh e vënë në dispozicion nga BQE-ja.

Monti lë pagën
Kryeministri i Italisë, Mario Monti, ka zbatuar personalisht programin e masave të ashpra të kursimit në Itali, duke hequr dorë nga paga e tij. Monti, një teknokrat i respektuar në të gjithë Europën, iu përgjigj me këtë veprim zërave se shkurtimet nuk preknin pagat e deputetëve dhe pushtetarëve.

Gjermania
Gjermania është fuqia më e madhe ekonomike e BE-së. Ajo ka shënuar një rritje ekonomike prej tre përqindësh këtë vit, eksporte prej një miliardësh euro dhe një rënie e numrit rekord të njerëzve të papunë. Por gjermanët janë më të pasigurt se kurrë nga kriza e euros dhe rreziku i inflacionit. Ata kanë frikë për vlerën e parave të tyre dhe nuk e dinë nëse monedha e tyre mbijeton në vitin 2012. Banka gjermane “Deutsche Bank Research” nuk pret për vitin e ardhshëm asnjë rritje ekonomike.

© Panorama.al

Te lidhura