NGA XHEVAT MUSTAFA 
Nga tradicioni politik dhe përvoja e popujve të tjerë, sidomos të Perëndimit, për protesta masive e popullore për të shprehur kundërshtimet ndaj politikave qeveritare ekonomiko-sociale dhe kufizuese të demokracisë si dhe kundër niveleve të larta të korrupsionit dhe autoritarizmit qeveritar, kanë shumë të mësojnë edhe kryesitë e partive të opozitës shqiptare e shumica e popullit shqiptar. Pa e kthyer kujtesën dekada më parë, si raste më të freskët, mund të përmendim ato në mes janar 2018 në Francë, pa kursyer edhe vënien e flakëve të plot dyqaneve dhe të objekteve të tjera urbane në Paris, me shkak rritjen me 20 cent të çmimeve të karburanteve…!
Në vijim, në janar 2022 ose rreth 30 muaj më parë në Kazakistan; 26 muaj më parë në Sri Lanka; 16 muaj më parë në Bangladesh; 10 muaj më parë në Serbi; 7 muaj më parë në Belgjikë, kundër rritjes së moshës së pensionit, deri në përplasje të dhunshme me policinë dhe paralizimin e trafiku ajror. Këtyre mund t’u shtohen edhe protestat masive në Greqi në fund shkurt 2025, në dyvjetorin e përplasjes së trenave, ku humbën jetën 57 persona, mes të cilëve edhe 6 emigrantë shqiptarë. Më të freskëtat janë protestat popullore në fund gusht e fillim shtator 2025, në Indonezi e Nepal për liri e të drejta demokratike e kundër korrupsionit të lartë qeveritar. Me qindra mijëra protestues organizuan demonstrata në të gjithë Francën më 10 shtator, në shenjë zemërimi ndaj shkurtimeve të buxhetit nga qeveria e kryeministrit Bayrou, duke ndikuar për humbjen e votëbesimit të tij në parlament dhe duke e futur vendin në krizë qeveritare. Fare të freskëta janë protestat gjatë këtyre ditëve të fund shtatorit në Itali, Francë, Britani në mbështetje të popullit të Gazës e kundër ofensivës finale të ushtrisë së Netanyahut për dëbimin e tij nga trojet e veta!
Nga këto protesta, krahas të tjerave, shprehet e kuptohet se mendtë në kokë i kanë sagllam e jo çyryk dhe i vendosin duart në kokë, në ditë kritike, duke arritur të shmangin vetë gjëmat më të mëdha, ata popuj që kanë aftësi të gjykojnë dhe kurajë të reagojnë për të mbrojtur jetët, familjet, liritë e të drejtat njerëzore e demokratike, jo vetëm të tyre, por edhe të popujve të tjerë! Jo vetëm gjatë këtyre 12 viteve të qeverisjes nga Edi Rama me shoqe e shokë gjase socialistë, është kuptuar e shprehur se ne, që njihemi e mburremi si shqiptarë e si “popull legjendar”, që “e kemi çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, që “u kemi marrë armiqve të jashtëm gjak në vetull”…, kur në të vërtetë u jemi nënshtruar me vite, dekada e shekuj, nuk hyjmë në grupin e madh të këtyre popujve! Në këto kushte, natyrshëm, së pari nga vetë ne shqiptarët, mund të shtrohet pyetja: “Çfarë populli jemi ne shqiptarët”? Kërkimi dhe gjetja e përgjigjes mund të nxisë e hapë edhe një debat mbarëkombëtar! Të mirëkuptohemi, jo për origjinën e lashtë si vend, si popull, si gjuhë, trashëgimi…, por për metamorfozën e thellë e shumëdrejtimëshe në karakter, mendësi, veprime, sjellje, qëndrime, reflektime e reagime, në këta 81 vjet, qysh kur u çliruam nga pushtuesit italianë e gjermanë dhe ramë nën pushtimin komunist. Mos vallë jemi popull unikal në nivel global…? Apo…që nuk di e nuk do të jetojë ndryshe, veç si skllav, kavie për eksperimentet e diktatorëve e padronëve; si letër vote e gazetash për karriget dhe fronet e tyre të pushtetit…?! Apo, që u puth duar e këmbë, që u thur këngë e vjersha; qëndron një jetë të tërë si sehirxhi ose si duartrokitës i çmendur ndaj atyre që e nëpërkëmbin, persekutojnë, tallin, fyejnë, vjedhin, varfërojnë sy më sy?!
Edhe më rëndë: që i lënë në pleqëri në vetmi, duke ua dëbuar fëmijët emigrantë nëpër vende të Perëndimit e duke sjellë në vend të tyre, afrikanë dhe aziatikë, edhe problematikë në Shqipëri…!? Kulmi i absurdit, çudisë, marrëzisë, unikalizmit për keq tek ne e mes nesh, arrihet kur shikon, dëgjon, lexon se italianët, francezët, spanjollët, britanikët… mbushin sheshe e rrugë për të protestuar kundër masakrave të Netanyahut në Gaza e për mbështetjen e palestinezëve, shqiptarët nuk kanë nge e dëshirë të protestojnë as për 1001 të këqijat që kanë përjetuar e po përjetojnë nga qeverisjet komunisto-socialiste për mbi 80 vjet!? Arsyet apo motivet për protesta janë të shumtë. Gjatë 22 viteve të qeverisjeve socialiste e 12 viteve të qeverisjes nga PD dhe partiçkat aleate të saj, shumica e ish pronarëve janë mplakur e kanë vdekur; janë terrorizuar fizikisht, psikologjikisht, financiarisht… nëpër zyra hipotekash, kadastrash, arkivash, gjykatash, noterish… për të përgatitur dosjet e pronave të trashëguara me dokumente krejt të ligjshme, për të marrë ca çika e pika, ndërsa pjesët më të mëdha në “kalendat greke”!?
Në këta 12 vjet të mbretërimit të Edi Ramës me shoqe e shokë ata u kanë shitur badiava ose falur miqve dhe ortakëve të tyre pjesët më të mëdha të Bazës së Pashalimanit, të Portit të Durrësit, të Bazës ajrore të Gjadrit, ishullin e Sazanit…, zona të pasura me minerale e naftë, duke i favorizuar edhe me shumë vjet mospagesë detyrimesh tatimore për buxhetin e shtetit me popullin më të varfër në Evropë! I kanë mbushur tregjet e Shqipërisë me ushqime e ilaçe dhe prodhime të tjera të konsumit të përditshëm e jetik, kryesisht nga Serbia, Greqia, Italia, Kina… me doza të larta pesticidesh dhe përbërësish të tjerë, të rrezikshme për shëndetin dhe jetën, sidomos për tumore kanceroze e sëmundje vdekjeprurëse në mushkëri…! Për më tepër e më keq, që shiten edhe me çmime të çmendur, deri në 25-100% më shtrenjtë se sa në Gjermani, Francë, Itali me paga, pensione, mbështetje sociale mujore… deri në 5-10 herë më të larta se sa në Shqipëri! Prej 80 vitesh shumicën e qyteteve e kanë lënë me 2-8 orë ujë në ditë për higjienë e jo të pijshëm? U kanë rrëmbyer dhe po u rrëmbejnë burime jetike uji, për të furnizuar për 24 orë komplekset turistike të miqve dhe ortakëve të tyre, oligarkë e “investitorë strategjikë”, në Vlorë e Himarë…!
Po për këta e “miq të rinj”, u kanë prishur baraka e hotele modeste turistike shqiptarëve të Veriut, në Theth, Kelmend e Valbonë, duke dëmtuar edhe familje që i kanë votuar deri më 11 maj 2025! Në shumicën e qyteteve kanë rrënuar e po shkatërrojnë teatro, lulishte, sheshe, qendra dhe zona identifikuese dhe me vlera historike e kulturore për të ndërtuar oligarkët e tyre të ndërtimit, kulla e komplekse hotelerie e tregtie, më së shumti “lavatriçe gjigande” për pastrimin e miliardave nga dograt latino- amerikane, ndragetase, ruse, serbe, turke, greke, shqiptare! Më 9 gusht 2025 Rama-Ballukuqeveria nuk nguroi të tregonte forcën e pushtetit e të vetit duke pushtuar e bllokuar për disa ditë me forca policore dhe ushtarake godinën dhe ambiente pune të “News24”, “BalkanWeb”, “Panorama” dhe “Gazeta Shqiptare”! Më 18 shtator nuk ua pranuan në konviktet shtetërore vajzat dhe djemtë studentë, që t’i detyrojnë të strehohen me qira shumë më të larta në rreth 75-80 mijë apartamentet bosh vetëm në Tiranë, në pallatet dhe kullat e oligarkëve të ndërtimit…!
E lashë për në fund “harresën” nga PD-Berisha dhe partitë aleate të saj të arsyes dhe motivit për protestë në shtator, për “farsën dhe masakrën zgjedhore të 11 majit 2025”, gjatë të cilës, sipas ankimeve të saj me shkrim e me gojë në gjykata e në parlament, iu vodhën me thasë, furgonë, vetura, fuoristrada, kamionë… vota e mandate! Për më tepër e më keq, gjëmë që mund ta përjetojnë edhe në zgjedhjet për kreun e ri të Bashkisë së Tiranës, për të cilat Edi Rama ka vënë si kandidate të PS-së, Ogerta Manastirliu, “Diellën” prej mishi, gjaku, kockash, me zemër e tru njerëzor… të përfolur e denoncuar edhe në media e rrjete sociale për korrupsion prej rreth 10 vitesh, me të paktën 5 dosje me shifra shumëmilionëshe në euro! Edhe më rëndë, duke ia njohur këto “merita”, ai arriti deri aty sa ta provokonte apo sfidonte PD-në dhe opozitën si koalicion se “s’ka opozitë që i bën ballë Ogerta Manastirliut në Tiranë! Kundërshtarët e kanë humbjen në xhep…”!
Një arsye apo motiv fare të freskët për të reflektuar dhe reaguar, edhe me protestë popullore demokratike na e dhuroi më 26 shtator 2025 DASH, me raportin e tij të ri. Në pjesën për Shqipërinë, pasi bëhen ca vlerësime pozitive, për diplomaci dhe oportunizëm, vijojnë “rrufetë” në adresë të Rama-qeverisë:”… zhvillimi ekonomik mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar, konkurrencës së pandershme, mungesës së fuqisë punëtore për shkak të emigrimit, produktivitetit të ulët dhe informalitetit të lartë… Investitorët shpesh raportojnë raste ku korrupsioni shtyn ose pengon investimet në Shqipëri. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të Partneritetit Publik-Privat (PPP) ka reduktuar mundësitë e konkurrencës, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë… Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje komerciale të ashpra me entitete publike dhe private, duke shkuar deri në arbitrazh ndërkombëtar”. Shtoni vetë sa të doni arsye e motive të tjerë për protesta popullore e qytetare në Shqipëri, si qëmoti apo si në vende të tjera të botës! Por, “kujtohuni” se hallet e mbijetesës allashqiptare nuk zgjidhen duke qëndruar me orë të tëra nëpër kafene e lokale të tjerë! As duke parë rregullisht emisionet e lajmeve me Ramën dhe Berishën nga 5-6 herë në çdo 30 minuta si dhe serialet turke dhe ndeshjet e futbollit të kampionateve më të forta në Evropë… As duke pritur me sytë dhe shpresat nga Zoti në qiell dhe Amerika, BE, PDopozita… në tokë!
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











