ATHINE- Kryeministri Lukas Papadhimos fillon sot një cikël takimesh me liderët e partive që mbështesin qeverinë.
I pari që do të kalojë pragun e pallatit Maksimu ku ndodhet selia e kryeministrisë, do të jetë në ora 18,00 kryetari i Demokracisë së re, Antonis Samaras, ndërsa të martën do të jetë takimi i Papadhimos me kryetarin e partisë LAOS, Jorgos Karaxhaferis.
Kryeministri dëshiron të informojë liderët për zhvillimet në ekonominë greke, por edhe për ecurinë e reduktimit të borxhit grek. Ajo që synohet nga takimet, është përcaktimi i një strategjie të përbashkët, në prag të mbërritjes së Trojkës, javën e ardhshme dhe të negociatave të vështira që do të pasojnë.
Zëdhënësi i qeverisë: “Sa më shpejt të kryhet misioni, aq më shpejt do të shkojmë në zgjedhje”
Ndërkaq, ministri i shtetit dhe zëdhënës i qeverisë, Pandelis Kapsis, e konsideron si të padiskutueshëm miratimin e memorandumit të ri nga ana e tri partive që mbështesin qeverinë.
Në një intervistë për gazetën Real News, Kapsis thekson se “pakti për marrëveshjen e kredisë së re presupozon një memorandum. Nuk besoj se ekziston ndokush që do ta vinte në diskutim këtë marrëveshje, që është shansi i fundit për Greqinë”.
Kapsis vë në dukje që nëse vendi shkonte në këto momente në zgjedhje, do të vihej në provë e gjithë procedura për negociimin e këstit të radhes të kredisë dhe të reduktimit të borxhit. Gjithsesi, sa i përket datës së zgjedhjeve, zëdhënësi thotë se “ka një pakt të përgjithshëm që sapo të përmbushet misioni i qeverisë, të shkojmë në zgjedhje. Sa më shpejt të kryhet misioni, aq më shpejt do të shkojmë në zgjedhje”. (Amna)











