Qeveria ka dalë për herë të parë për këtë vit në tregun e brendshëm për të marrë para përmes bonove të thesarit 6-mujore dhe njëvjeçare. Ajo që bie në sy edhe këtë herë, është rritja e interesit të bonove me afat 12-mujor, krahasuar me ankandin e fundit që qeveria zhvilloi në datë 29 dhjetor. Por ndërsa në krahasim me ankandin e jashtëzakonshëm jashtë radhe interesi ka pësuar një rritje modeste, nuk ka ndodhur kështu me interesin e ankandit të fundit të programuar nga qeveria, që u zhvillua më datë 27 dhjetor. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se interesi i bonove ishte 6.73 për qind në fund të dhjetorit dhe në ankandin e djeshëm shënoi nivelin 7.11 për qind. Kjo rritje vjen në një kohë kur ekspertët janë shprehur se presin një ulje të interesit të bonove dhe, nga ana tjetër, norma e interesit të lekut aktualisht është 4.75 për qind, një nivel ky shumë i favorshëm i vendosur nga Banka e Shqipërisë, që në një farë mënyrë lehtësoi edhe borxhin e qeverisë në fund të vitit të shkuar. Ulja e normës së interesit dy herë brenda pak kohësh, edhe pse në thelb u bë për të lehtësuar biznesin në mënyrë direkte, ndikoi dhe tek borxhi i qeverisë. Pavarësisht nivelit të ulët që është vendosur për normën e interesit të lekut, duket se qeverisë do t’i duhet sërish “një dorë” për një borxh më të lirë, nëse interesat do të vijojnë të shtrenjtohen.
Ankandi
Qeveria për ankandin e djeshëm fillimisht kishte shpallur kërkesën e saj për një borxh prej 100.6 milionë dollarësh përmes bonove të thesarit me afat 12-mujor. Kërkesa ndryshoi shumë pak, ndërkohë që nga bankat u ofruan 100.5 milionë dollarë. Interesi mesatar me të cilin bankat e ofruan këtë shumë, ishte 7.11 për qind. Interesi maksimal i kërkuar në ankand ishte 7.45 për qind, ndërsa interesi maksimal i pranuar ishte 7.31 për qind. Në ekstremin tjetër interesi minimal ishte 6.55 për qind. Në ankandet e fundit është shfaqur hapur hezitimi i bankave për t’i dhënë hua qeverisë, çka ka bërë që kërkesa e kësaj të fundit të jetë më e lartë dhe pothuajse gjithmonë të rezultojë në huamarrje më të vogla dhe me një interes më “të kripur”. Ende nuk mund të ndahet një kufi mes hezitimit real të bankave për pasigurinë që ekziston për shkak të presioneve që janë krijuar nga zhvillimet në vend por dhe më gjerë në eurozonë, apo bëhet fjalë edhe për një ngurrim artificial që u shërben interesave më të leverdishëm për to. Pavarësisht rritjes që kanë pasur interesat e bonove që nga 29 dhjetori, ekspertët janë shprehur se presin që interesat të ulen, bazuar edhe në faktin që qeveria ka planifikuar që pjesën më të madhe të huamarrjes ta bëjë jashtë.
Deficiti, më pak para nga tregu i brendshëm
Qeveria ka planifikuar që borxhi i brendshëm gjatë këtij viti të jetë më i vogël, çka pritet të shoqërohet me norma më të leverdishme interesi. Ky vendim në ditët e fundit të vitit 2011 nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, u argumentua me dhënien e më shumë hapësire sektorit privat. Ky nivel i ulët borxhi në një farë mënyre pritet të favorizojë kreditimin e biznesit në vend, edhe pse nga Banka e Shqipërisë jo pak herë është përsëritur që problemi nuk qëndron tek likuiditeti, por te kërkesa e ulët e biznesit e konsumatorëve dhe mungesa e paraqitjes së planeve bindëse, që mund të favorizojnë në kreditim. Në buxhetin e këtij viti, qeveria ka parashikuar që të marrë borxh nga tregu i brendshëm 18.8 miliardë lekë, ndërkohë që nga tregu i jashtëm është parashikuar të merret borxh 22.3 miliardë lekë. Të gjitha këto para do të plotësojnë deficitin prej 41 miliardë lekësh, që është programuar të jetë për këtë vit. E kundërta ishte në fakt për vitin 2011, kur qeveria pjesën më të madhe të financimit e bëri përmes borxhit të marrë në tregun e brendshëm. Në buxhetin e vitit 2011 të rishikuar, qeveria planifikoi një huamarrje të brendshme në nivelin 29.9 miliardë lekë, kurse nga tregu i jashtëm u parashikua që të merreshin borxh 16.9 miliardë lekë. Në total, deficiti i vitit të kaluar sipas buxhetit të rishikuar ishte planifikuar 46 miliardë lekë.
NERTILA MAHO












