
Papunësia dhe borxhet çojnë drejt vetëflijimit një 50-vjeçar në Korçë. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme kur viktima, i identifikuar si Gëzim Osmani, është gjetur i pajetë nga familjarët e tij në ballkonin e shtëpisë. Burime nga Policia bënë të ditur se viktima është gjetur me një tel rreth fytit nga bashkëshortja dhe fëmijët, të cilët në momentin e ngjarjes nuk ndodheshin në banesë. Bazuar në dëshminë e tyre, ka rezultuar se 50-vjecari Osmani ishte prej vitesh i papunë dhe se kishte borxhe të shumta te persona të ndryshëm. Familja Osmani, e ndodhur në kushtet e një varfërie ekstreme, e përballonte me vështirësi jetesën.
Të vetmet të ardhura ishin nga përkrahja sociale që u jepte Bashkia, por kjo shumë ishte e pamjaftueshme për katër anëtarët e saj, ndaj mbi viktimën binte gjithë barra e familjes. Burime nga grupi hetimor në vendngjarje thanë se viktima kishte diskutuar ashpër ditën e ngjarjes me bashkëshorten e tij dhe se shkak kishte qenë pamundësia për të gjetur një punë për të përballuar më tej jetesën për fëmijët. Pas debatit në familje, 50-vjeçari ka dalë në ballkonin e apartamentit të tij dhe ka qëndruar atje për disa momente i vetëm. Në inat e sipër, bashkëshortja e tij ka marrë fëmijët dhe ka shkuar te të afërmit e saj ku ka qëndruar për rreth një orë, derisa është qetësuar disi. Por, pasi është rikthyer, ajo ka gjetur në ballkon të vetëvarur të shoqin.
Ajo është përpjekur bashkë me fëmijët ta ndihmonte, por ka qenë e pamundur, pasi Gëzim Osmani kishte ndërruar jetë. Sipas Policisë, ngjarja është regjistruar në Lagjen Nr.6 të qyteti të Korçës, e banuar kryesisht nga komuniteti rom dhe egjiptian, ku edhe jetesa është mjaft e vështirë për shkak të kushteve të këqija ekonomike në të cilat ata ndodhen. Burimet policore sqaruan se, mbështetur në deklarimet e familjarëve, viktima nuk vuante nga sëmundje depresive, por vetëvrasja mund të jetë shkaktuar nga gjendja e rënduar psikologjike e momentit. Sakaq, pas këqyrjes së kufomës është arritur në konkluzionin se nuk ka shenja dhune dhe se kemi të bëjmë me një vetëvrasje. Ngjarja e djeshme e ka çuar në 3 numrin e të vetëflijuarve për 4 ditët e fundit në qarkun e Korçës. DHORJELA DEMKOLLI











