Borxhet e ujësjellësve, CEZ penalizon 3 qytetet e mëdha

May 14, 2011 | 9:40
Banorët e Vlorës duke mbushur ujë tek “Uji i Ftohtë”

Borxhet e Ujësjellësit penalizojnë katër qytete, tre prej tyre ndër më të mëdhenjtë në vend.Durrësi, Vlora, Fieri dhe Kurbini prej pasdites të së enjte janë pa ujë të pijshëm, pasi kompania CEZ ka ndërprerë furnizimin me energji të stacioneve të pompave. Zyrtarisht, kompania e shpërndarjes së energjisë e ka argumentuar këtë me debitin e krijuar prej ndërmarrjeve të ujësjellësit, i cili arrin miliona lekë. Prej pak muajsh, këto ndërmarrje janë nën varësi të Bashkisë, por drejtuesit e tyre thonë se presin subvencion nga shteti, pasi nuk kanë mundësi shlyerjeje. Për pasojë, veç familjarëve, mungesa e ujit të pijshëm po penalizon edhe bizneset, madje edhe institucione me rëndësi të veçantë, siç janë spitalet. Në qytetin e Vlorës mësohet se janë pezulluar ndërhyrjet kirurgjikale, ndërsa gjendja është e rëndë në Spitalin Infektiv dhe Maternitet, ku uji është domosdoshmëri e çdo çasti. Ndërsa banorët i janë drejtuar burimit të Ujit të Ftohtë për të mbushur bidonë e kova, ndërsa radha e tyre arrinte deri në rrugën kryesore. Pranë tij ndodhen dhe pompat e ujit që furnizojnë qytetin, të cilat nuk punojnë prej 2 ditësh. Sipas CEZ është paralajmëruar disa herë ndërmarrja e ujësjellësit për të paguar debitin, por dhe pse është premtuar, nuk është kryer pagesa, duke çuar deri në vendimin ekstrem. Nga ana tjetër, drejtoresha e ndërmarrjes së ujësjellësit, Varvara Gjika, pohoi se CEZ po ndëshkon me të padrejtë qytetarët. “Ne kemi paguar një shumë prej 1 milionë lekësh te CEC, ndaj të cilit jemi debitor. Edhe pse kemi bërë shumë tentativa me Ministrinë dhe kompaninë CEZ për të rikthyer energjinë, nuk ka ardhur asnjë përgjigje deri pasditen e sotme”, tha Gjika. E njëjta situatë edhe në Durrës e Kurbin, që sigurojnë ujin nga burimi i Fushë-Kuqes. Ndonëse nuk jepet shifrat e borxhit të krijuar, këto dy qytete dhe rrethinat nuk kanë ujë që prej së enjtes. Në Durrës, shumica e banorëve kanë varur shpresat tek bidonët me ujë të blerë, ndërsa të tjerë në burime të tjera natyrore ose puse. Sipas burimeve nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, CEZ ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike, duke lënë pa ujë të pijshëm disa lagje në qytet, si pasojë e borxheve që i kanë ndërmarrjet CEZ-it, ndërsa është kërkuar pagesa e të gjithë shumës së mbetur në total, dhe jo me këste. Në Fier borxhi mësohet se i kalon 15 milionë lekët dhe CEZ ka vendosur tashmë që t’i bëj bllok shërbimit deri në pagimin e të gjitha faturave. “Nuk dimë pse duhet ta paguajmë ne këtë borxh që ka kompania. Ne ia paguajmë faturat ujësjellësit, kështu që duhet të marrim shërbimin e duhur”, ka deklaruar Petref Mila, një banor. Ndërkohë, kreu i Ujësjellësit, Ervin Muskaj, ka deklaruar se nuk mundet që kompania të bëjë një pagesë të tillë, për arsye se kjo kompani nuk është fitimprurëse, dhe nuk ka se si t’i sigurojë lekët. “Ne nuk mund të gjejmë lekët kur i duan ata, pasi ne nuk jemi shoqëri fitimprurëse. Ne ecim me idenë që shteti të na japë subvencion për këtë konsum”, ka deklaruar Muskaj. Ndërkohë, edhe Bashkia Fier ka dalë në një deklaratë për mediat, me anë të së cilës akuzon Ujësjellësin për keqmenaxhim të deritanishëm. Nënkryetari i Bashkisë, Flamur Mato, është shprehur se prej dy ditësh Fieri po vuan pasojat e një papërgjegjshmërie institucionale nga ana e Ujësjellësit. Tashmë qytetarët e Fierit u janë drejtuar burimeve ujore në fshatrat më të afërt.

Burimet

VLORE – Bllokohen stacionet e pompave në Ujin e Ftohtë, që furnizojnë rrethin

DURRES – Ndërpritet energjia në stacionin e pompave në Fushë-Kuqe të Laçit, që furnizon dy rrethet

FIER – Burimi i Kafarajt në Frakull nuk e furnizon që prej së enjtes këtë rreth

© Panorama.al

Te lidhura