Reshjet e dendura të borës, që ranë gjatë natës së kaluar, bllokuan për gjashtë orë Qafën e Llogarasë, ndërsa probleme në qarkullim janë shënuar edhe në qarkun e Elbasanit. Bora që nisi papritur zuri në befasi drejtuesit e mjeteve që udhëtonin në aksin nacional Elbasan–Tiranë, nga Qafë-Krraba e po ashtu dhe ata në Qafë Thanë–Pogradec. Trashësia e dëborës arriti në 25 cm. Me urdhër të prefektit të Qarkut, në vend mbërritën mjetet borëpastrueses, si edhe Policia Rrugore, e cila vazhdon të jetë e dislokuar kryesisht në Qafë-Krrabë. Në këtë pjesë të rrezikshme për mjetet, nëntë prej tyre kanë humbur drejtimin duke u përplasur me njëra-tjetrën, por fatmirësisht pa dëme në njerëz. Shefi i Shtabit të Emergjencave, Mustafa Arapi, i ka kërkuar Njësisë së Qarkullimit rrugor që asnjë mjet që udhëton drejt Tiranës apo në kthim të mos lëvizë pa zinxhir, pasi rruga është e mbuluar me dëborë dhe në disa vende edhe me ngricë. Deri më tani, në akset Librazhd–Përrenjas-Qafë-Thanë dhe Elbasan–Qafë Krrabë, të cilat janë të mbuluara nga dëbora, nuk ka ndodhur asnjë aksident me pasoja dhe qarkullimi vazhdon të jetë me zinxhir. Ndërkaq, një maune rreth pesë metra e gjatë, me targa të huaja YE 404DP, bllokoi qarkullimin përreth një orë në aksin Elbasan–Peqin në vendin e quajtur Papërr. Mjeti rrëshqiti dhe u përmbys, por fatmirësisht drejtuesi i mjetit, 29-vjeçari me inciale A.M. nuk pësoi dëmtime. Ndërsa situata u normalizua me shpejtësi në këto zona, gjatë mëngjesit rreth 10 km të aksit nacional që lidh Vlorën me Sarandën, ishin të pakalueshme. Dhjetëra automjete mbetën të bllokuara në të dy anët e rrugës, jo vetëm pasi trashësia e dëborës arriti në 30 cm, por dhe për shkak se ulja e menjëhershme e temperaturave solli ngrica në rrugë. Nga ora 04:00 e deri rreth orës 10:00, në këtë aks nuk ka mundur të kalojë asnjë mjet. Më pas, kalimi i tyre është bërë vetëm me zinxhirë. Në ndihmë të drejtuesve të automjeteve të bllokuara mbërritën edhe forca të sektorit të qarkullimit, të cilët kanë bërë udhëzimin e drejtuesve të mjeteve, duke mos lejuar asnjërin prej tyre t’i ngjitej Llogarasë, pa qenë më parë i pajisur me zinxhirë. Kjo është bërë për të evituar aksidente të mundshme në këtë aks mjaft të rrezikshëm në stinë dimri. Ndërkaq, në vend, ndonëse me vonesë, mbërritën dje për ndihmë edhe mjetet e Drejtorisë së Rrugëve. Drejtuesit e makinave të bllokuara për gjashtë orë ishin dje mjaft të irrituar nga mungesa e ndërhyrjes nga Drejtoria e Rrugëve. Sipas tyre, ata nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga Drejtoria e Rrugëve Rajonale për të zhbllokuar në kohën e duhur këtë aks. “Kemi qëndruar që prej orëve të para të mëngjesit e deri rreth orës 10:00 në pritje, ndërsa automjetet kanë ardhur me vonesë për të zhbllokuar rrugën”, u shpreh drejtuesi i një mjeti, i cili pohoi se ishte nisur nga Saranda për në Vlorë. Një shtetas grek, i cili gjithashtu kishte mbetur me orë të tëra i bllokuar, shprehu habi për neglizhencën e vendorëve për ndërhyrje. Ai u shpreh se edhe në Greqi bie borë, por institucionet marrin masa të menjëhershme. Bllokimi i rrugës në të dyja anët e saj e bëri të pamundur kalimin e autobusëve me pasagjerë që kishin destinacion Vlorën, Sarandën, Himarën apo zonat e tjera të bregdetit. Situata pritet të vështirësohet përsëri në orët e mbrëmjes dhe përgjatë natës, sepse reshjet vazhdojnë të bien, ndërsa ulja e temperaturave mund të shkaktojë sërish ngrica. Përfaqësues të Ndërmarrjes së Rrugëve u shprehën se mjetet e tyre do të kryejnë pastrimin e rrugës nga bora, ndërsa do të hedhin kripë për të bërë të mundur kalimin me zinxhirë të automjeteve.
Shkodër, bllokohen 40 persona
Reshjet e para të dëborës sjellin probleme në qarkun e Shkodrës. Për dy orë, 40 persona u bllokuan në aksin Dukagjin–Shkodër, në vendin e quajtur “Karma e Kirit”, dhe në malin e Shoshit. Reshjet e dendura e kanë çuar trashësinë e borës në 80 cm. Të ndodhur në këto kushte, pasagjerët kanë dalë nga makinat dhe kanë udhëtuar për rreth 2 orë në këmbë, derisa janë bashkuar me grupin e anës tjetër, të mbetur po ashtu të bllokuar. Veç zonës së Dukagjinit, akse mjaft problematike janë edhe ato të Vermoshit. Të bllokuara janë Qafa e Bordolecit dhe Gropat e Selcës në aksin Tamarë–Vermosh, si dhe Qafa e Thores në aksin Bogë-Theth. Në këto zona trashësia e dëborës e kalon 1 m, duke izoluar banorët. Probleme janë hasur edhe në rrethin e Pukës, ku trashësia e dëborës vetëm në qytet ka arritur në 20 cm. Ndërsa në qytet, por edhe në fshatra të Pukës ka pasur mungesë të energjisë për disa orë. r.d
Korçë, qarkullimi me zinxhirë
Mëngjesi i djeshëm e ka gjetur të zbardhur thuajse të gjithë qarkun e Korçës, duke krijuar vështirësitë e para në zonat e thella. Trashësia e borës në disa prej këtyre zonave i ka kaluar 10 cm, por sipas burimeve nga Prefektura, ende nuk ka asnjë zonë të bllokuar. Në lartësinë mbi 1 mijë metra, si në zonat e Dardhës, Lekasit e Gramozit, dëbora arrin nga 10-15 centimetra.
Nishani në Peshkopi për situatën
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zv.ministri Pone, si dhe deputetë të qarkut Dibër zhvilluan dje një takim pune me përfaqësues të pushtetit lokal të Qarkut Dibër. Qëllim i takimit ishin masat e marra nga njësitë vendore dhe ndërmarrjet rrugore të këtij rajoni për përballimin e dimrit. Ministri tha se duhet të ketë përqëndrim në zonat e vështira dhe më problematike.
VLORE/ ELBASAN
© Panorama.al
















