Vetëm Qafa e Llogorasë vazhdon të sjellë probleme për mjetet përsa i përket rrugëve nacionale në vend. Edhe dje, ajo ka qëndruar për disa orë e bllokuar, pasi bora arriti deri në 60 cm. Deri në mesditë, mjetet e kishin të pamundur të lëviznin në drejtimin Vlorë-Sarandë. Kjo situatë vazhdoi derisa Ndërmarrja e Rrugëve ndërhyri duke hedhur kripë e skorje në asfalt. Gjendje problematike nga reshjet e dëborës ishte dhe në rrugën tjetër nacionale që lidh vendin me qytetin jugor të Sarandës. Qafa e Muzinës ka qenë tepër e vështirë për drejtuesit e mjeteve. Bora është shfaqur edhe në qytetin e Gjirokastrës dhe përgjatë rrugës që të çon në Kakavijë. Që prej nisjes së flokëve të parë të dëborës, gjysma e qytetit të Gjirokastrës ka qenë pa energji elektrike, si pasojë e rrjetit të amortizuar. Në qarkun e Elbasanit, gjashtë fshatra malorë janë bllokuar mëngjesin e së enjtes nga dëbora, ndërsa mësohet se në vendin e ngjarjes kanë shkuar punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve. Si pasojë e rënies me intensitet të dëborës janë bllokuar akset rrugore të fshatrave malorë Gjinar-Zavalinë, si edhe Dorëz-Qarrishtë në Librazhd e 4 fshatra në zonën e Stëblevës. Në këto zona është pezulluar plotësisht dhe mësimi në shkollat 9-vjeçare. Edhe rajoni i Kukësit është mbuluar nga reshjet e dëborës. Këto reshje kanë sjellë probleme në komunat Sishtavec, Zapod, Arrën e Kalis, të cilat janë të izoluara. Sipas njoftimeve edhe në rrethet e Hasit e Tropojës, rrugët nacionale janë të zhbllokuara dhe qarkullimi ka vijuar normalisht. Në qarkun e Beratit, dëbora ka bllokuar komunat malore, kryesisht ajo e Gjerbësit.











