Bookstore: Stacioni më i ri i librit

Jan 29, 2012 | 11:39

Në një hapësirë prej 800 metrash katrorë, që i kushtohet vetëm librit, klientët qëndrojnë përpara rafteve me nge, pa u nxituar për përzgjedhjen e tyre. Fundja, kanë kohë mjaftueshëm edhe për të shfletuar. Bëjnë një lexim diagonal dhe vendosin se cilin titull duan të çojnë në shtëpi. Ama ka edhe nga ata që vijnë me mendim të paracaktuar. Fundja, mediat e të gjitha llojeve kanë buçitur kohët e fundit për librat, kështu që nuk ka shumë vend për dilema. Titujt e shumtë të librave që ofrohen në “Bookstore” nuk krijojnë aspak atë kaosin që shpesh të krijohet në libraritë e tjera. Janë të ndarë në rafte, në 14 seksione, sipas tematikave të ndryshme. Sapo hyn, në të djathtë është këndi i buletinit dhe gazetave, përballë janë raftet apo “ishulloret e librave”, siç i kategorizon stafi i përzgjedhur i kësaj librarie seksionet e librave. Letërsia shqipe ka këndin e saj, ku më së shumti dominojnë librat e shkrimtarit Ismail Kadare, por dhe të shumë autorëve të tjerë që kanë të njëjtën hapësirë ekspozeje, sa dhe shkrimtari i madh. Vijon “shëtitja” në hapësirën e madhe të librit me: Letërsinë e Huaj, Psikologji, Ekonomi, Art dhe Foto deri te guidat turistike dhe fjalorë. “Të gjithë librat janë të ndarë në bazë të tematikave, kjo për një qëllim të caktuar: Të orientojnë vizualisht lexuesin drejt zhanrit të librit që kërkojnë, por edhe që të krijohet një baraspeshë mes shtëpive botuese dhe hapësirave që i jepet secilit, pavarësisht autorit apo letërsisë që boton. “Në këtë aspekt janë ideuar edhe katër ‘ishulloret’, që janë si kënde promocioni, ku shtëpitë botuese mund të paguajnë për të mbajtur për një muaj të tërë në stendën e promocionit librat dhe autorët e rinj. Janë dhe dy ‘ishullore’ për lexuesit, të cilët mund të ulen dhe të lexojnë librin e preferuar pa u shqetësuar”, thotë Ergys Zajmi, menaxheri i librarisë. Domosdo që salla e promovimeve nuk mund të mungojë. Ashtu siç nuk mund të mungojë as këndi i fëmijëve, sapo hyn, në të majtë të librarisë.

© Panorama.al

Te lidhura