Bonot në euro, bankat hezitojnë

Dec 21, 2011 | 12:14

Qeveria shqiptare kërkoi dje të shlyente vetëm gjysmën e borxhit të maturuar të marrë me euro brenda vendit. Shuma e shpallur nga qeveria ishte 10 milionë euro, por bankat që morën pjesë në ankand ofruan më pak se 10 milionë. Edhe pse shuma e ofruar nga bankat ishte vetëm pak më e vogël, rreth 9.971.900 euro, kjo bëri që kërkesa e qeverisë të mos plotësohet dhe ankandi të merrte nuanca “abuzimi” për çmimin final. Qeveria në fund në ankandit pranoi 1 milion euro më pak se oferta, 8.971.900 euro. Në fakt, interesat e ofruara në fund të ankandit ishin për bonon 12-mujore të krahasueshme me ato të bonove 9-mujore, pra të leverdishme, por mungesa e ofertës nga bankat duket se e tërhoqi edhe qeverinë.
Në qershor të vitit të kaluar, qeveria shqiptare provoi për herë të parë te emetonte bono në euro. Ajo bleu 25 milionë euro nga bankat e nivelit të dytë në vend, me një afat 9-mujor dhe me interes mesatar 6.05 për qind. Në mars të këtij viti, kur afati i bonove në euro u maturua, qeveria tentoi të rinovonte me bankat vetëm 20 milionë euro, duke paguar 5 milionë të borxhit. Por edhe në mars bankat nuk e plotësuan kërkesën e qeverisë dhe pranuan të rinovonin, ose i ofruan qeverisë 18.501.500 euro. Pra, më pak se sa kërkesa. Qeveria pranoi vetëm 17.501.500 euro. Pra në mars, kur ishin maturuar 25 milionë euro, qeveria rinovoi vetëm 17.501.500 euro borxh të ri. Në këtë rast, interesi i bonove në euro ishte 6.39%. Dje, qeveria duhet të shlyente të gjithë këtë shumë, por vendosi të shpallte një ankand tjetër me afat më të gjatë, 1-vjeçar, por jo për 17.5 milionë euro, por për 10 milionë. Pra, qeveria pranoi të shlyente 7.5 milionë euro. Bankat që morën pjesë në ankand nuk kishin interes të financonin borxhin e qeverisë me euro dhe ofruan më pak para sesa kërkonte qeveria. Në fund të ankandit të djeshëm, kur u maturua edhe afati i bonove 9-mujore, qeveria i shleu bankave 8,529,600 euro, si diferencë mes borxhit 17.5 milionë që ishte maturuar dhe borxhit të ri prej 8.971.900 eurosh që mori. Ajo që bie në sy, është fakti që ndryshe nga ankandet e boneve të thesarit, ku bankat kërkojnë të blejnë borxhin e shpallur nga qeveria me shuma shumë më të mëdha sesa kërkohet, në ankandin e bonove në euro shuma e kërkuar nga qeveria nuk u plotësua. Në pamje të parë, duke përjashtuar mundësinë e abuzimit me normat e interesit, duket se bankat nuk kanë pasur valutë të lirë për të financuar borxhin e qeverisë.

© Panorama.al

Te lidhura