Qeveria ka blerë më shumë bono nga individët para afatit të maturimit të tyre gjatë 3-mujorit janar-mars 2011. Në raportin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, rezulton që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, të jenë blerë rreth 17.6 për qind më shumë bono nga qytetarët. Nëse për vitin 2010 vlera e bonove të blera ishte 692 milionë lekë, për vitin 2011 janar-mars vlera ishte 814 milionë lekë. Raporti i publikuar dje nga AMF lidhur me “Zhvillimet e tregut me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë” tregojnë edhe tendencat që kanë mbizotëruar në këtë treg. Kështu, sipas AFM, tregu sekondar i letrave me vlerë të qeverisë gjatë 3-mujorit të parë 2011 u dominua në masën 93.73% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 6.27% nga instrumente afatgjata (obligacione). “Për sa i takon numrit të transaksioneve, 98.77% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari”, thuhet në raportin e AMF. Ndërkaq, lidhur me totalin e transaksioneve si për blerjen e bonove para maturimit nga individët, si për shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar nga Autoriteti, vihet re një ulje në vlerë prej gati 1.6 miliardë lekë.











