
Hidhet në erë gjyqtari i Vlorës, Skerdilajd Konomi. Një shpërthim i telekomanduar i ka marrë jetën 33-vjeçarit, baba i dy fëmijëve, ndërsa udhëtonte me makinë përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë, pranë Shkollës Industriale.Ngjarja makabre ndodhi rreth orës 09:20 dhe nga hetimet e para mësohet se rreth 500 gramë tritol kanë qenë vendosur poshtë sediljes së makinës. Një “Benz” 250, me targë VL 6383 B, që përdorej nga bashkëshortja e tij, Enkelejda Konomi, financiere pranë Portit të Vlorës, por që dje e kishte marrë Skerdilajdi për të shkuar në punë. Ndryshimi i automjetit është bërë për shkak se makinës tjetër të familjes Konomi, një “Mercedes” i tipit të fundit që e përdorte Skerdilajdi, ia kishin shfryrë gomat, ndërsa në tokë kishte shenja të rrjedhjes së naftës.
Shpërthimi

Duke qenë se e prisnin disa shokë për kafe, si dhe i duhej të shkonte në punë, gjyqtari i ka kërkuar bashkëshortes çelësat e Benzit tjetër, për më shpejt. Ky ka qenë edhe këmbimi fatal për jetën e tij, pasi vetëm pak minuta më vonë, makina ka shpërthyer. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, fillimisht ai ka qenë i gjallë. I dëmtuar më së shumti në gjymtyrët e poshtme, gjyqtari ka bërë thirrje për ndihmë, por njerëzit kanë pasur frikë që të afrohen për shkak të flakëve. Ai ka vijuar të përpëlitet për disa minuta të tjera pa marrë ndihmë, me persona që silleshin rreth e rrotull, por pa marrë guximin të ndërhyjnë. Vetëm disa kova me ujë të hedhura nga larg dhe shikime keqardhjeje… Edhe pas mbërritjes së policisë, Skerdilajdi nuk është larguar menjëherë nga makina, për shkak se ka pasur një shpërthim të dytë, kësaj here të naftës që po digjej. “Vetëm kur erdhi zjarrfikësja dhe e bëri vendin ujë, ndërhynë policët dhe disa njerëz të tjerë. Atë e kapën dy persona dhe e futën në një bagazh makine, ku nisi t’i shqitej copa-copa mishi nga trupi. Më pas, i dolën jashtë edhe organet e brendshme dhe nuk lëvizi më…”, thotë një dëshmitar nga vendngjarja, ndërsa në spital konfirmojnë që gjyqtari ka shkuar i vdekur, duke e përcjellë direkt në morgun e qytetit.
Makina

Gjyqtari me përvojë pune 7-vjeçare dhe prej 5 vitesh pjesë e Gjykatës së Vlorës, mësohet se para punës kishte pirë një kafe në zonën e Skelës. Rreth 10 minuta më pas, mjeti ka shpërthyer në flakë dhe, për shkak se ishte në ecje kur ndodhi atentati, ai ka vazhduar lëvizjen për disa metra të tjerë, por edhe betejën disaminutëshe, derisa vdiq. Për hetuesit e shpërthimit, që i mori jetën një prej përfaqësuesve të drejtësisë në Shqipëri, atentati ka qenë i telekomanduar. Një sasi e madhe tritoli dyshohet të jetë vendosur gjatë natës ose herët në mëngjes në makinën tip “Benz” 250, me targë VL 6383 B, në pronësi të familjes Konomi. Arsyeja se pse ky eksploziv është vendosur në makinën e bashkëshortes dhe jo të tij, hetuesit e argumentojnë me faktin se “Makina e gjyqtarit ishte një model i ri dhe thuajse i pamundur për t’u hapur pa u vënë re, në mënyrë që të instalohej aty tritoli. Duke qenë se Mercedesët e vjetër janë më të thjeshtë për të hyrë brenda, atëherë gjithçka është organizuar më se e menduar. Një çarje gomash dhe e tubit të naftës për makinën e re, në mënyrë që gjyqtari të merrte makinën e gruas së tij. Pjesa tjetër është bërë me telekomandë. Viktima është ndjekur nga pas (kështu mendohet), derisa ka arritur një moment kur nuk ka pasur shumë njerëz dhe është komanduar shpërthimi me celular”.
Provat
Gjatë ditës së djeshme, viktima ka qëndruar në morgun e spitalit, ndërsa vetëm sot do të dërgohet në shtëpi. Menjëherë pas ngjarjes makabre, ekspertët kanë nisur punën për të këqyrur vendin e ngjarjes, me qëllim zbardhjen e ngjarjes. Si fillim është verifikuar zona dhe janë marrë në pyetje të pranishmit pranë vendngjarjes, për të konkluduar se nuk kishte të lënduar të tjerë në njerëz apo dëmtime materiale. Nisur nga ky fakt, rezulton se autorët kanë ndjekur me përpikëri lëvizjen e Konomit, deri në shpërthimin e telekomanduar, pa shkaktuar viktima të tjera. Në vendin e ngjarjes u gjet nga policia dhe një aparat celular, që po i nënshtrohet ekspertizës, nëse i përket viktimës apo është telefoni nëpërmjet të cilit u provokua atentati i fuqishëm. Në vendngjarje kanë shkuar specialistë të strukturave të policisë, krerë të saj, ndërkohë që mjaft kolegë, prokurorë e gjyqtarë kanë qenë prezent gjatë paradites në vendin ku ndodhi shpërthimi, por edhe në ambientet e spitalit rajonal.
Precedenti i shpërthimeve
Më 27 prill të këtij viti, Renato Abazi, pronar i një pike loto-sporti, humbi jetën në vend pas hedhjes në erë në ecje e sipër të makinës “Opel Corsa”, me targa të huaja. Fatmirësisht, ngjarjes që ndodhi tek rrethrrotullimi i Skelës i shpëtuan dy shokët e tij, M. Dani, 28 vjeç, G. Sulejmani, 34 vjeç, si dhe një fëmijë 10 vjeç, të cilët ndodheshin në të njëjtën makinë. Ngjarja u dyshua për hakmarrje, pasi ndaj 35-vjeçarit ishte hapur edhe dosje gjurmimi policor në lidhje me dy raste të vendosjes së eksplozivit në një automjet dhe në një banesë.
Nga e dërguara jonë në Vlorë, Elisabeta Ilnica
© Panorama.al











