Intensiteti i lartë i atentateve, në dukje të rastësishme dhe në analizat e mëtejshme të quajtura si aksione politike, janë bërë shumë qesharake, aq sa dhe reagimi i adoleshentëve për to nuk përjetohet si frikë, por një mënyrë se si të rriturit po bëjnë fushatën e tyre zgjedhore. Bombat dhe shpërthimet që dëgjohen pothuajse në çdo dy-tri ditë e net nëpër media, kanë shpesh autorë anonimë. Edhe të dhënat e policisë duket sikur janë raporte rutinë: askush s’tronditet nga ato që dëgjon, njerëzit nuk pyesin se kush e kreu krimin. Gati-gati, rastet e identifikuara klasifikohen të palidhura me politikën dhe vrullin e parazgjedhjeve lokale, pavarësisht se ndodhin në një situatë të tillë. Vetëm kur lajme të tilla përfshijnë kandidatët për kryetarë: ose vihet buza në gaz, ose lajmi shuhet indiferent në veshët dhe sytë e njerëzve. Qytetarët ndjehen të lodhur, aq sa ndjehen të përdorur, aq sa ndjehen të paduruar. Pyetjet: Pse po ndodhin pikërisht tani dhe aq më shumë, pse nuk mbahet një qëndrim për këto veprime absurde?, duket se s’i intereson askujt t’i bëjë. Policia bën sikur verifikon pafajësitë, ndërsa njerëzit bëjnë sikur zemërohen akoma më shumë me kundërshtarët. Edhe bombëvënia është një sfond në këtë fushatë të shëmtuar zgjedhjesh dhe nuk e bën dot efektin e vet…
Një nga më të çuditshmet raste, madje duhet të jetë edhe tepër i rrallë në performancat e debateve mediatike në botë, është ai i dy ditëve më parë në debatin “Shqip” të Xhungës, ku dy pjesëtarë të saj, Çani dhe Veliaj, lëvizën nga paneli për të njëjtën arsye: për shkakun e eksplozivëve të vënë, ku njëri kishte shpërthyer duke mos e kursyer një kalimtar fatkeq të rastit, dhe tjetri ishte lajmëruar në telefon duke terrorizuar familjen e gazetarit. Të dyja ngjarjet transmetuan te njerëzit një tension jo të panjohur, por shumë të shëmtuar. Bashkë me zemërimin tradicional militantesk, jam e bindur që shumë teleshikues u ndjenë të fyer duke përjetuar këto lloj tipi lajmesh, duke u shqetësuar, por njëkohësisht edhe duke u ndjerë krejtësisht jashtë skenave të “krimit”….
Dhe ajo që na fyen të gjithëve është mënyra se si po zhvillohet kjo fushatë zgjedhore. Kemi menduar gjithmonë se Shqipëria do të bëhej përherë e më mirë, se do të ketë më shumë prosperitet dhe ne që jemi këtu, bashkë me ata që janë larguar, do të mendojmë se si ta zbukurojmë, ta rehatojmë këtë pjesë të botës ku na ka rënë fati të jetojmë. Por nuk qenka e thënë, sepse jemi ne brenda dhe më pak ata jashtë që nuk dimë se si të rehatojmë veten nga nevoja për të bërë një hara-kiri të pakuptimtë.
Duket sikur e kemi luftën në tru ditë e natë, sikur kemi marrë formën e një kallashnikovi: gjenerojmë gjendje emocionale të përshkallëzuara negativisht dhe kjo gjendje rëndohet çdo ditë e më shumë. Analizat që bëjmë nisen nga urrejtje dhe jo nga dashuria për veten dhe për të afërmit. Qëllimi i çdo njeriu në jetë është të ketë një rezultat të mirë, sidomos pas vitesh dhe dekadash, sidomos në një kohë relativisht të tillë që e ndihmon të paktën të bëjë një jetë të mirë, pa harruar atë që është e pakthyeshme; se nuk jemi të përjetshëm.
Në vend që këto kohë t’i shpenzonim se si të ndërtonim struktura që do të na bëjnë të jemi sa më shumë paqësore, të pranueshëm dhe tolerantë me njëri-tjetrin, kemi bërë të kundërtën. Duket sikur vitet e diktaturës, ku i morëm frymën njëri-tjetrit me urrejtjen më të madhe, ku shteti na mori frymën më antipatinë dhe përbuzjen më të madhe që pati për ne, janë vite që s’na paskan bërë asnjë përshtypje, sikur të ishim ca kafshë pa memorie dhe vlerësim për veten. Pas diktaturës (e logjikshme të pranohet si një periudhë e pastabilizuar), dukej sikur ishte vetëm fillimi, por ja që ai që ne e quajmë ende fillim s’paska fund dhe mbetemi akoma më tepër nën kthetrat që ia kemi futur vetes në fyt.
Duket sikur ne shqiptarët jemi popull fleksibël, përshtatemi kudo që jemi, madje shpeshherë jemi shumë të suksesshëm. Ka me qindra dhe mijëra shqiptarë që janë të nderuar në shumë vende të botës, që dinë se ç’bëjnë. Por çudi, kur vjen puna e politikës sonë (për politikën e botës dimë të gjykojmë më mirë), pra kur vjen puna për politikën e shtëpisë sonë, jemi ekstremisht intolerantë, fyes, të dhunshëm, të paepur për të pranuar tjetrin.
Ajo që ka bërë politika e këtyre viteve të fundit është akoma më e pafalshme se ajo e viteve të para. Mënyra e sofistikimit të pozicioneve armiqësore është filozofia më në “fashion” në familjet shqiptare dhe, për fat të keq, më “trendy” tek të rinjtë shqiptarë. Ata që votojnë e ndiejnë se janë në sheshin e luftës, ndjehen luftarakë. Nuk po ua krijojmë dot mundësitë të rinjve të merren me zgjedhjet si me një festë dhe procedurë të zakonshme qytetare: që pasi të votojnë, të nisen në piknikun e radhës me shoqërinë. Bombëzimi nuk i lë shqiptarët të merren me veten e tyre. Duket sikur lajmërimet për eksplozivë janë një strategji politike që po përdoret për të mos e lënë (sub)koshiencën e njerëzve të qetësohet, sikur e përgatisin për një luftë më frontale, që rrezikshmërisht mund të vazhdojë edhe përtej 8 majit.
Të rinjtë akoma më shumë janë midis dy zjarreve: atë të parimit familjar, kultura e zgjedhjes politike për shkak të paraardhësve (kështu thanë, je studentja, e cila, megjithëse i pëlqyen më shumë spotet e Bashës për fushatën, iu dukën më të qeta dhe më moderne, tha se kjo s’do të thotë shumë për të: gjyshi kishte qenë komunist dhe ajo patjetër do të votonte për Ramën dhe PS), dhe nevoja për të qenë të lirë dhe për të zgjedhur atë kandidat që ia u mbush më shumë mendjen për zotësinë e tij.
Kemi dalë nga një sistem monopolitik, s’kemi mundur të pastrohemi për të ndryshuar, rrjedhimisht edhe psikologjinë tonë e kemi pranuar që nuk e bëjmë dot pastrimin e shoqërisë, por kemi pranuar edhe sfidën që në këto kushte bëmë përpjekje për të hyrë në NATO dhe ia arritëm; bëmë përpjekje për të liberalizuar vizat dhe ia arritëm; po bëjmë përpjekje për t’u futur në listën e vendeve kandidate dhe patjetër do të vijë një ditë, shpejt, që do t’ia arrijmë. Por është e pamjaftueshme. Ndërkohë, konstrukti i vjetër që mbartim: ai i monopolitikës, na mban të frenuar. Ajo që mund të na bëjë të suksesshëm është të pranojmë se ka edhe ndryshe: se grupet politike qeverisëse mund të ndërrojnë rolin dhe të pësojnë rrotacion shumë natyrshëm. Ajo për të cilën duhet të shqetësohen qytetarët është që të sigurohen se këto grupe politike, këto parti apo pushtete lokale do ta zbatojnë siç duhet misionin e tyre; të punojnë me ndershmëri dhe dashuri për komunitetin dhe vendin. Në këtë mënyrë, vetvetiu urrejtja do të fashitet; njerëzit do të bëhen më të ndërgjegjshëm që e mira e tyre është e barabartë me shërbimet e mira që ofrojnë pushtetarët, pavarësisht nga lloji i partisë që përfaqësojnë. Kështu, njerëzit do të jenë më pak robër në duart e politikave abstrakte. Madje do ta kuptojnë siç duhet filozofinë politike, të djathtën dhe të majtën e vërtetë, me të cilat akoma luhet keq në Shqipëri.
Jemi përpara disa zgjedhjeve të rëndësishme që mendohej se do të sillnin një risi pozitive në mendjen e qytetarëve. Në fakt, periudha parazgjedhore nuk është aspak e tillë. Bombëzimi dhe mënyra e përjashtimit të tjetrit që kanë zgjedhur të bëjnë kandidatët, mënyra se si po përdorin mediat e tyre dhe po ngurtësojnë qëllimet lokale dhe nevojat për qytetin, duke iu dhënë liri të pafre uryshit politik, natyrisht që i ka prishur shumë punë qetësisë dhe sigurisë së qytetarëve për të zgjedhur. Nga ana tjetër, e ka ashpërsuar shumë debatin mes palëve, i ka futur njerëzit në kampe duke i politizuar ekstremisht. Mendoj se qytetarët e mençur do të dinë të zgjedhin midis politikave që u janë servirur. Nuk është e lehtë për ne që jemi votues të zgjedhim atë që do të jetë me të vërtetë më e suksesshme për të gjithë. Gjithsesi, ajo që duhet të bëjmë është të votojmë, edhe sikur me vonë të zhgënjehemi – kjo është një detyrë e shenjtë që do të na mësojë se ç’duhet bërë më mirë më vonë. Të mësohemi që të mendojmë se si duhet të jemi ne të zotët e qyteteve tona dhe t’i detyrojmë kryebashkiakët të na dëgjojnë.
Natyrisht që nuk është e lehtë për ne si votues shqiptarë të ndajmë politikën nga nevojat që kemi si qytetarë, por duhet ta bëjmë, edhe sikur me vështirësi, duhet të fillojmë ta bëjmë. Imponimi qytetar do kohë të krijohet, por duhet filluar.
Duke iu kthyer asaj që thashë në fillim, mbi ndjesinë që krijon të adoleshentët kjo gjendje e tensionuar dhe e dhunshme, me keqardhje them se po u krijojmë atyre nga njëra anë frikën ndaj Shqipërisë e, nga ana tjetër, mundësinë të tallen me ne të gjithë, më këta breza që nuk munden të përmbajnë veten dhe të jenë të zotët të rregullojnë punët e tyre, me këta politikanë të paaftë që s’iu dhimbset vetja dhe fëmijët e tyre…
Po paguajmë shumë shtrenjtë dhe s’e kuptojmë: po i lëmë këtij brezi modelin tonë të arkitekturës së bombëzimit, që do t’i detyrojë ta urrejnë këtë vend e të ikin larg sa më larg…
© Panorama.al












